Fushë Studën është një ndër pikat turistike më të bukura që ka qarku i Elbasanit. Ky fshat turistik në verilindje të Shqipërisë, prej vitit 1996 është nën juridiksionin e qarkut Elbasan, pasi më parë ishte pjesë e rrethit të Dibrës.

Në vitin 2008 u bë shpallja e zonës Park Kombëtar nën emrin e vargmaleve “Shebenik-Jabllanice” dhe Fushë Studën tashmë bën pjesë në Parkun Kombëtar më të madh në Shqipëri.

Ajo çka e bën të veçantë këtë fshat është natyra e virgjër dhe pyjet e paprekur, gjithashtu lugina e Fushë Studnës e cila ka nje gjërësi të konsiderueshme dhe më e rëndësishmja është se në të nuk ka asnjë grimcë beton të derdhur pa kriter.

Simboli i Fushë Studnës është liqeni i saj, i cili ndodhet përballë fshatit rrëzë pyllit të ahut, çka i jep atij një pamje tepër piktureske dhe tërheq mijëra turistë në vit të huaj dhe vendas. Fushë Studën nga pozicioni gjeografik, pasuritë natyrorë, rekrative, traditat dhe kulturat, ka mundësuar dhe mundëson një turizëm malor të veçantë, ndërsa turizmi deri tani është më shumë i planifikuar dhe spontan.

Ardhja e vizitorëve për gjueti, peshkim në ujera malore, ecje sportive, alpinizëm, tregon se Fushë Studën është një ndër vendet më të perferuara të Parkut për vizitorë të huaj dhe vendas.

Këtë vit për shkak të pandemisë së shaktuar nga Covid-19, si një mënyrë për të rimëkëmbur turizmin në Shqipëri, vijon thirrja për të kaluar pushimet verore brenda kufijve dhe ku më bukur sesa mes gjelbërimit dhe freskisë që ofron Fushë Studeni.

Elbasaninews.tv