TIRANË, 21 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në një takim me fermerët në Shirgjan të Elbasanit, u shpreh se qeveria nuk mund ta shmangë dot të gjithë inflacionin e luftës por po bënë gjithçka për ta lehtësuar atë.
“Goditja më e fortë është te fatura e energjisë. Askush nuk e ndjen se ne kemi vënë mburojë financiare dhe çmimi vjen si para luftës. Ndryshe nga atëherë, pjesën tjetër e paguajmë ne”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se sot një kilovat kushton 42 lekë më tepër se çmimi që paguajnë qytetarët në faturë.
“Kjo është një çmenduri e paimagjinueshme që ne ta linim të vinte drejt jush, sepse do t’jua bënte të pamundur jetën një shumice të madhe qytetarësh”, tha ai.
Rama tha se mbështetja nga qeveria është siguruar edhe për transportin publik, ku nuk është prekur çmimi i biletës.
“E kemi parë me naftën ku është goditja më e madhe, tek ata që lëvizin me autobus. Nuk është prekur çmimi i biletës sepse të gjithë pjesën e rritur e paguan shteti”, tha ai.
Kryeministri theksoi se qeveria ka vendosur në dispozicion të kësaj mburoje financiare edhe një shumë të konsiderueshme për të gjithë ata që janë më të prekurit, pensionistët.
“Kemi riindeksuar dy herë pensionet, hera e parë që ndodh dhe kemi rritje me 10%. Do të japim edhe një bonus të rëndësishëm për situatën që jemi në fillim të dhjetorit që të lehtësojmë peshën e inflacionit të luftës që asnjë shtet nuk e heq dot. Por, por lehtësimin kemi detyrë ta bëjmë”, tha ai.
Rama tha se qeveria ka dyfishuar ndihmën ekonomike për nënat me dy fëmijë, për të personat mbi 65 vjeç me ndihmë ekonomike, si dhe ka rritur pagat në mënyrë horizontale për të gjithë.