Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga Elbasani, tha sot se më 11 maj çdo qendër votimi është një vagon i trenit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe, sipas tij, ky është momenti për të hyrë dhe për t’u ulur si shqiptarë në atë tren, pa u ndarë në të majtë dhe të djathtë.

 

Në fjalën e tij gjatë takimit përmbyllës elektoral në Elbasan, Rama tha se fitorja në 11 maj e PS do të jetë fitore me notën dhjetë.

 

“Më 11 maj ne duhet të kapim trenin e historisë për të vijuar rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ne i kemi humbur trenat e historisë. Ne mund të ishim sot shumë më përpara, por 1997-n nuk na e bënë të huajt, por ia bëmë vetes, ashtu si edhe të tjera më parë”.

 

“Prandaj treni i historisë ka ndalur përpara nesh, prandaj në çdo qendër votimi është një vagon i atij treni, ku duhet hipur dhe ku duhet ulur me votë krahë për krahë, majtas dhe djathtas me shqiptarë dhe shqiptare, pa i ndarë në socialistë e demokratë”, theksoi Rama.

 

Sipas kreut të PS, “fitorja jonë në 11 maj do të jetë më e bukura e kësaj historie që kemi shkruar së bashku, do të jetë një fitore me notën 10-të. Ne do të vazhdojmë me shumë besim, me shumë besim deri në fund të kërkojmë në zemrat dhe mendjen e çdokujt që na rri larg, shqiptarinë, dhe në ndërkohë dua t’ju them të tërëve: nuk shkohet në zgjedhje për të zgjedhur krushkun apo dhëndrin, por për të zgjedhur kalin që do të tërheqë karrocën”.

 

“Prandaj nuk keni çfarë kërkoni o demokratë, o rob Zoti me kalin gërmuq që po ju ngordh rrugëve, hajdeni dhe merrni karrocën e madhe të PS dhe ta bëjmë së bashku këtë sprint drejt lavdisë”, tha Rama.

 

Duke folur për mbështetjen e vajzave dhe grave për PS, Rama tha se “dhe një herë atyre që na thoshin përse e bënit fushatën me gratë, shikoni tani sa më shumë burra kanë ardhur, pasi gratë janë të parat”.