Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, projekti i portit tregtar të Porto Romanos, një nga veprat më strategjike për Shqipërinë e për rajonin, ka zgjuar një interes të madh dhe qeveria është e vendosur për ta jetësuar.
Kryeministri Rama, zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe përfaqësues të një numri të madh kompanish dhe institucionesh financiare ndërkombëtare të interesuara për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano ndoqën sot prezantimin shpjegues mbi këtë vepër strategjike.
Rama vlerësoi prezencën e këtyre kompanive në këtë prezantim ballafaques të natyrës tekniko-financiare që, sipas tij, tregon jo vetëm interes, por edhe besim.
“Dua t’ju siguroj se ne jemi shumë të vetëdijshëm, qoftë për paragjykimet me të cilat duhet të përballemi, kur është fjala për për të hapur ekonominë tonë dhe për të hapur dyert e dritaret në mënyrë që të gjithë ata që duan të përfshihen në zhvillimet tona ekonomike i gëzojnë këto mundësi. Ashtu sikundër dua t’ju siguroj se, në provën e fakteve, të gjithë ju do ta shikoni se pse unë ato i quaj paragjykime dhe jo perceptime të bazuara në realitetin e përpjekjes sonë për të pasur procese transparente, me integritet dhe për të pasur procese që në fund të shpërblejnë ato shtylla që i kanë bërë kompanitë tuaja të jenë kompani me kaq shumë zë, që janë nga njëra anë konkurrenca e lirë dhe nga ana tjetër merita”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se, Shqipëria vjen nga një e shkuar aspak bujare dhe në 3 dekada të rrugëtimit tonë në përpjekje për të ndërtuar një Shqipëri moderne, funksionale, demokratike dhe një ekonomi të hapur dhe konkurruese për të gjithë mund të konsiderohen shumë, por edhe shumë pak si rezultat i matjes së nivelit të eksperiencës”.
“Pikërisht për këtë arsye, duke qenë të vetëdijshëm që eksperienca kaq shumë e nevojshme nuk është në anën tonë, ne i jemi referuar ekselencave ndërkombëtare si në rastin e një ekselence me reputacion të padiskutueshëm në nivel botëror, siç është kompania “Royal Haskoning”, e cila po punon intensivisht me një seriozitet dhe me një korrektesë, kapacitete teknike dhe talent për t’u admiruar”, tha Rama.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për kompaninë holandeze, ndërsa shtoi se, “holandezët aq sa janë të zotë, janë edhe të shtrenjtë”.
“Natyrisht nuk po punojnë falas ashtu sikur ju e dini se, holandezët janë sa të zotë, aq edhe të të shtrenjtë dhe nuk ka të dytë në aftësinë e tyre për të qenë tregtarë fitues. Por në fund të ditës e meritojnë atë që marrin, ndaj nuk kemi asnjë pendesë që po i paguajmë jo dhe aq lirë dhe besoj se, kompania është një nga arsyet që ju keni ardhur këtu me besim”, shtoi ai.
Rama vlerësoi se, lista e kompanive pjesëmarrëse në këtë takim ka një shtrirje gjeografike goxha mbresëlënëse.
“30 kompani të kësaj fushe, të gjitha të mbledhura këtu për të parë nga afër dhe bërë pyetjet e nevojshme të natyrës tekniko-financiare në një projekt si i yni, na mbush me kënaqësi edhe pse në fund vetëm 1 kompani do të fitojë. Kjo do të ndodhë si rezultat i një procesi që do t’ju bëj të riktheheni në Shqipëri me shumë më tepër siguri se herën e parë dhe shumë më tepër respekt”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se, “ne jemi të vetëdijshëm se për ta bërë Shqipërinë vendin që meritojnë fëmijët tanë kemi nevojë për partnerë të duhur me eksperiencë që kanë treguar se çfarë janë të zotët të bëjnë”.
“Ju jeni të gjithë të tillë. Ju siguroj se do të keni mundësinë të ndiqni një prezantim dhe të përjetoni një eksperiencë unikale. Kur e kam ndjekur për herë të parë prezantimin jam impresionuar se më është dukur sikur po prezantonte një studio atelie e rilindjes në Firence. Janë ustallarë të një niveli mahnitës. Me këto fjalë që nuk do ulin asnjë qindarkë në çmimin e projektit, jam i sigurt”, shtoi Rama.