ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se fajtorët e vërtetë për vrasjet e 21 janarit gjenden në Foltoret dhe pas dyerve të blinduara që synojnë bravën e SHQUP-it.

Në një bashkëbisedim online me qytetarët për ngjarjen e 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër protestues, Rama tha se “nëse nuk ndalemi tek kriminelët që tërhoqën këmbëzën e pushkën, fajtorët e vërtetë për ato vrasje gjenden njëri mbi foltoret e atij revolucioni që synon të marrë SHQUP-in dhe tjetri pas dyerve të blinduara që synon të mbajë bravën e SHQUP-it”.

“Të thuash se katër njerëz u vranë sepse nuk duhet të shkonin në bulevard atë ditë, do të thotë të mos meritosh asnjë koment”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se “sot në përvjetorin e 11-të të 21 janarit ka arsye të vjetra për të qenë me kokën varur, por ka edhe arsye të reja besoj unë për ta ngritur kokën lart.
11 vjet më parë u vranë 4 protestues paqësorë krejtësisht të parrezikshëm për kërkënd. Në kohën kur protesta po shpërndahej dhe në katër pika shumë të largëta nga objekti i rëndësisë së veçantë, Kryeministria. Kujtoj me këtë rast se në atë protestë është e vërtetë degradoi në disa djegie, por larg objektit të rëndësisë së veçantë. Kryeministria nuk u prek nga askush dhe nuk u prek nga asgjë”.

“Besoj se shumë kujt mund t’i kujtohet asokohe ajo ishte e rrethuar me gardh dhe dukej si një vilë e madhe private e atyre ish-pasanikëve sovjetikë dhe jo si pallati i një qeverie demokratike. Asnjë protestues nuk e kapërceu atë gardh, asnjë shishe me benzinë, flakadanë, gurë nuk u hodh përtej atij gardhi, në drejtim të mureve dhe asnjë zjarr nuk e përpiu pemën e famshme pranë derës qysh në ditën e parë që është hapur ajo derë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Asgjë nga ato që ndodhën më pas shumë rëndom përballë kësaj godine kur palët politike ndërruan vendet, kur pala që sot mbrohet me dyer të blinduara te SHQUP-i, mbrohet nga pala që sot sulmon me qysqi dhe shkallë zjarrfikësish SHQUP-in, ishin bashkë në agresionet e panumërta mbi Kryeministrinë”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “pashë sot komentatorë që flasin nga mbrapa bravës apo nga maja e shkallës duke thënë se fajin, kjo është thënë shpesh qysh në krye të herës, por përsëri do e them, se fajin për vrasjet e 21 janarit e kam unë, pse, se i thirra njerëzit në protestë”.

/vijon/k.s/