TIRANË, 16 prill/ATSH/ Rruga e re që lidh qytetin e Fierit me Parkun Arkeologjik të Apolonisë është hapur tashmë për vizitorët dhe turistët që duan të shijojnë zonën magjike të antikiteti.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga aks i rëndësishëm për ndërlidhjen me qytetin antik të Apolonisë.
“Ja edhe rruga e re që lidh qytetin e Fierit me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, e cila është hapur për vizitorët dhe turistët që duan të shijojnë zonën magjike të antikitetit”, tha Rama.
Të dhënat e fundit të publikuara tregojnë se Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga 28 600 turistë gjatë 10-mujorit të 2021, nga të cilët 13 741 turistë të huaj dhe 14 844 vendas”.
Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.
Apolonia është themeluar rreth fillimit të shek të IV p.e.s. Gjurmët më të hershme arkeologjike janë disa objekte të kohës së hekurit, tipike të kulturës ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen mbetje të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar hyjneshës Artemis.
Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë.



























