Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në Elbasan.

 

Gjatë fjalës së tij kryesocialisti tha se lista e kandidatëve të PS-së në qarkun e Elbsanit është gjithëpërfshirëse.

 

“Çfarë mund të bëjë Partia Socialiste më shumë për ju se t’ju japë mundësinë që të zgjidhni në gjithë këtë grup, çfarë të doni ju. E doni nga Kalaja, e keni;e doni nga periferia, e keni; e doni burrë, e keni; e doni grua, e keni; e doni vajzë, e keni; e doni djalë, e keni; e doni nga Belshi, e keni; e doni nga Cërriku, e keni; nga Librazhdi, e keni; nga Përrenjasi, e keni; nga Peqini, e keni. Çfarë të bëjmë ne për ju që t’ju shpëtojmë nga ky makth që të dilni nga ajo kënetë? Për veten tuaj”, tha Rama.

 

Duke iu referuar Partisë Demokratike, Rama tha se “”këneta” nuk do nuk asgjë dhe askënd, që nuk është komplet i gatshëm dhe e gatshme të bëj vetëm kua-kua-kuak”.

 

“Kush ka pak më shumë zë, kush pak më shumë mend, kush ka pak më shumë ego dhe mbi të gjitha kush ka pak më shumë përkrahje nuk i duhet “kënetës”. Këneta është mbretëria e bufit, bufi mbizotëron mbi kënetë dhe mbi sipërfaqen e ujit të ndenjur ku bëjnë kua-kua-kua”, tha Rama.

 

Rama shtoi se “si mund të jetë kjo alternativa e Shqipërisë evropiane dhe pastaj kulmi këtu është, se e tha bukur një zonjë: “Ore, po mirë ne gjithë kohën kemi dëgjuar dhe ju themi fëmijëve “duhet të kujdesemi për pleqtë”, ç’është kjo histori që të votojmë një plak të kujdeset për ne, si u bëka kjo?!”. Si u bëka kjo të çohet Shqipëria dhe t’i thotë një plaku që ka rrjedhur, zyrtarisht i rrjedhur, hajde ti kujdesu për ne, për punën tonë, për pagat tona, për pensionet tona edhe sikur të ishte engjëll, si i bëhet kjo një plaku?!” – tha Rama.

 

Rama iu bëri thirrje demokratëve që të votojnë kandidatët e PS-së, ose nëse nuk duan të votojnë PS-në, të mos shkojnë ta hedhin votën në “kënetë”.

 

“Tani mirë Bufi që nuk ka njeri rreth e rrotull ta mbajë në shtëpi, por këta demokratët e Elbasanit, pse duhet të hyjnë në gjynah?! Me i dhënë votën dikujt që normalisht duhet të shkojë në shtëpi dhe me mbajt rrugëve, një burrë stërplak, i lashtë, i dëshpëruar, i pashpresë që të vijë vërdallë, hyni në gjynah. Mos hyni në gjynah, hajdeni me ne, kush e ka problem 5-n, PS-në, le të mos e vejë te PS, të zbresë poshtë dhe ka gjithë atë listë ku të votojë, dhe nuk hyn në gjynah. Kush nuk e bën dot atë, të rri në shtëpi atë ditë, e diel, kohë e mirë, të rrijë në shtëpi, nuk dilet nga shtëpia me hyrë në gjynah. Me u vesh, me mbajt radhë dhe me e hedh votën në “kënetë”. Të rrijë në shtëpi”, tha Rama.