Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria ka vendosur 500 milionë lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të biletës në transportin urban qytetas dhe ndërqytetas, që qytetarët përdorues të këtij transporti të mos preken financiarisht nga pasoja e luftës mbi çmimin e karburantit.

Në një takim me përfaqësues të shoqatave të transportit, Rama tha se edhe sikur shoqatat e transportit të rrisnin çmimin e biletës, sërish kapaciteti i tyre për të rezistuar do të ishte i dobët.

“Ndaj ne vendosëm 5 milionë dollarë për të kompensuar diferencën dhe për t’ju kërkuar të mos prekni në këtë fazë kaq delikate çmimin e biletës. Nga pikëpamja e modaliteteve kjo është përgatitur, por është shumë e rëndësishme që të vazhdojë shërbimi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se problemi më i madh aktualisht mbetet mungesa e naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare.

“Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë kishte dalë zyrtarisht me një lajm që nuk është pozitiv dhe konfirmon atë që ne kemi përmendur disa herë. Problemi në këtë situatë nuk është kaq sa shohim ne, sepse ndërkohë që ne diskutojmë çmimet, rreziku me naftën dhe energjinë është mungesa në treg”, tha Rama.

Kryeministri tha se “Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë zyrtarisht sot ka paralajmëruar mundësinë e shokut më të madh të furnizimit me naftë në dekada”.