ATSH/ Kryeministri Edi Rama, sërish sot, kritikoi mediet në vend për transformim të realitet dhe gjobëvënie, jo vetëm ndaj qeverisë, por dhe biznesit, kryesisht atë të prodhimit të produkteve bujqësore, në kushtet kur sot ka rritje të eksporteve dhe asnjë kamion të kthyer mbrapsht për shkak të cilësisë.
Gjatë një takimi me fermerë në Lushnje, Rama tha se shumica dërrmuese e lajmeve janë të deformuara nga interesat e pronarëve, babëzia dhe nga influencat e këqija të pronarëve.
“Faktikisht ky është realiteti i hidhur, i përditshëm, i gjithë atyre që ju drejtohen ekraneve e portaleve për të marrë informacion për vendin ku jetojmë. Është realiteti i hidhur, i përditshëm, sepse shumica dërrmuese janë të deformuara nga interesat e pronarëve, babëzia dhe nga influencat e këqija të pronarëve, nga një kulturë mizerabël e investimit në medie për të vënë gjoba, qeverisë por dhe bizneseve: më paguaj që të mos të të bëj copash me lajme të rreme dhe me informacion të deformuar. Ky është realitet fatkeq”, deklaroi kryeministri.
Rama tha se kur ai kishte propozuar ligjin “Antishpifje”, kishte marrë një sërë telefonatash nga sipërmarrës të mëdhenj, e kryesisht prodhues të produkteve ushqimore në vend, të cilët e kishin inkurajuar t’i shkonte kësaj nisme deri në fund.
“Kur ne ndërmorëm atë përpjekjen për të vendosur një kuadër ligjor për shpifjen, jam habitur nga numri i sipërmarrjeve që me kanë telefonuar duke më thënë: mos u tërhiq. Mora njërin dhe e pyeta: pse? Mu përgjigj: na mbyten me gjoba. Dhe këto goditje për fat të keq i marrin ata të cilët krijojnë punë, prodhojnë dhe më e rënda është goditja mbi prodhuesit e ushqimit, ata që prodhojnë fruta e perime të cilat i eksportojnë në BE”, u shpreh Rama.
Kryeministri u shpreh se mediet me qëllim gjobëvënien alarmojnë konsumatorët duke ju thënë se produktet janë të pasigurta.
“Dhe ndërkohë shqiptarëve, këtu, nga këto medie, ju thuhet bëni kujdes që çdo gjë që hani mund t’u helmojë. Kemi prodhime të certifikuara dhe prodhime që teksa rritet volumi i tyre për eksport, kthimet mbrapsht të kamionëve tanë të prodhimeve që eksportohen drejt BE-së, ku ju e dini nivelin e kontrollit, janë zero”, tha Rama.
Rama e cilësoi problem edhe kthimin e gjysmë të vërtetave në një industri gënjeshtre.
“Problemi më i madh me të cilin përballemi sot është kthimi i gjysmë të vërtetave në një industri gënjeshtre. Sepse gjysmë e vërteta është gënjeshtra më e madhe, nëse kamera, me urdhër të pronarit shkon për të degjeneruar fshatin, sepse do që ti bjerë qeverisë. Sigurisht që kur merr një fermer, apo disa fermerë që po hedhin mollën në kanal tregon një fakt. Ama kjo është gjysma e të vërtetës. Nga ana tjetër e kanalit, janë 10 të tjerë që mollën e eksportojnë”, u shpreh kryeministri.