ATSH/ Shqipëria përfaqësohet në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, ngjarjes më të madhe të artit bashkëkohor në botë, me veprën e Lumturi Blloshmit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias.

“Shqipëria në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia”, tha Rama, ndërsa ndau pamje nga pavijoni shqiptar, prezantuar me artisten Lumturi Blloshmi dhe kuruar nga Adela Demetja.

Në këtë edicion të 59-të Shqipëria vjen për herë të parë me një ekspozitë personale të një artisteje grua dhe që nuk jeton më. Artistja Blloshmi u nda nga jeta në vitin 2020 për shkak të COVID-19.

Pavijoni

Puna ndër vite e Lumturi Blloshmit dhe koncepti kuratorial e vendos Pavijonin Shqiptar brenda kuadrit politik, artistik dhe konceptual të edicionit të 59-të të Bienales së Venecias dhe diskursit aktual të artit bashkëkohor.

Prezantimi me titull “Lumturi Blloshmi. Nga e para” është i konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, shqyrtojë, prezantojë dhe ripozicionojë veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

Prezantimi është konceptuar në tre pjesë. Thelbi i ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga periudha të ndryshme. Arkitektura e ekspozitës është krijuar në bashkëpunim me arkitekten gjermane Johanna Meyer-Grohbrügge.

Nëpërmjet një mjedisi të ndërtuar virtualisht publiku qaset në botën personale dhe mjedisin krijues të Blloshmit, përmes një arkivi virtual, të krijuar në bashkëpunim të ngushtë mes kuratores dhe artistit britanik të realitetit virtual Alexander Walmsley.

Atmosferën e plotëson një film për Lumturi Blloshmin në formën e një dokumentari eseistik. Ky i fundit synon të dokumentojë jetën e Blloshmit, punën dhe qenien e saj. Sipas kuratores Demetja, dokumentari është në vetvete një lloj vepre artistike e bashkëkrijuar nga mendimet/veprat/imazhet e Lumturi Blloshmit dhe nga regjisori meksikan Tin Dirdamal.