Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në fjalën e mbajtur në Këshillin e Sigurimit se “i detyrohemi me vepra dhe jo me fjalë mijëra viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, Ruanda dhe Darfur, të gjithë atyre që kanë vuajtur mizori, masakra dhe krime kundër njerëzimit”.

Në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi llogaridhënien ndërkombëtare, i vendosur në rendin e ditës nga Shqipëria si një ndër prioritetet e programit të vendit tonë në këtë këshill, Rama tha se “rasti i konfliktit 11-vjeçar të Sirisë është një shembull tragjik”.

“Duke dështuar që ta vëmë para përgjegjësisë regjimin sirian për krimet kundër popullit të vet, kemi inkurajuar mizori diku tjetër”, theksoi Kryeministri.

Por, sipas tij, “mostrajtimi i shkeljeve kudo tjetër nuk duhet të jetë arsye për të mos vepruar askund”.

“Kjo më sjell tek agresioni tragjik që vazhdon në Ukrainë. Ky akt i neveritshëm ka shkelur të gjitha ato që përfaqëson ky Këshill, normat, vlerat, ligjet që ne respektojmë dhe i detyrohemi njëri-tjetrit. Një luftë e paprovokuar, e padrejtë, e paligjshme, i ka shkaktuar dhimbje kombit të tërë ukrainas, ka sfiduar sigurinë europiane dhe ka tronditur ekonominë botërore. Duke përkeqësuar sigurinë ushqimore po shkakton dhimbje të panevojshme për miliona njerëz në mbarë botën”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se “krime të tmerrshme që kryhen po zbulohen çdo ditë dhe kjo kërkon vënie para përgjegjësisë”.

“Na duhet të dëshmojmë vepra e jo vetëm fjalë. Na duhet të themi sot më shumë se kurrë: Kurrë më! Sepse i detyrohemi me vepra dhe jo me fjalë mijëra viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, Ruanda dhe Darfur. Ua detyrojmë të gjithë atyre që kanë vuajtur mizori, masakra dhe krime kundër njerëzimit. Ua detyrojmë fytyrave të panumërta të heshtura që shpesh janë viktima të pafajshme të krimeve seksuale. 20 mijë gratë e dhunuara në mënyrë mizore gjatë spastrimit etnik në Kosovës në ’98-’99. Ua detyrojmë jetëve të shkatërruara të milionave fëmijëve, të cilëve u është vjedhur e ardhmja nga agresorët”, tha Rama.

Ai tha se “kjo është arsyeja pse ka rëndësi thelbësore të qëndrojmë në mënyrë të vendosur dhe të përpiqemi të mohojmë të relativizojmë kontekstin e këtyre krimeve të tmerrshme”.

Rama tha se “glorifikimi i kriminelëve dhe mohimi i gjenocidit dhe thirrjeve për dhunë, këto thirrje duhet të dënohen pa asnjë hezitim”.

“Ua detyrojmë në fakt fëmijëve tanë. Ua detyrojmë fëmijëve të botës. Llogaridhënia sjell përgjegjësi. Përgjegjësia sjell veprim. Veprimi përforcon drejtësinë dhe drejtësia kontribuon në paqe. Pa këtë drejtësi dhe llogaridhënie efektive, normat dhe vlerat e përbashkëta do të shuhen. Nuk duhet t’i lëmë shkeljet të bëhen normë. Shkelësit duhet të mos kenë pjesë e vend në botën tonë. Ato duhet të kenë pjesë në vendin e tyre pas hekurave, si Sllobodan Millosheviç, si Charles Taylor, sepse ata jo vetëm e vunë veten mbi ligjin, por jashtë ligjësisë më bazë të njerëzimit. Duhet që pandëshkueshmëria të mbetet në histori. Drejtësia, kjo bashkëshoqëruese e domosdoshme e drejtësisë duhet të mbizotërojë në emër të të gjithëve ne si qenie njerëzore”, tha Rama.