ATSH/ Kryeministri Edi Rama u prit sot në një takim në Strasburg nga presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Tiny Kox.

Rama mbërriti në Strasburg ku pritet që rreth orës 15:30, t’i drejtohet me një fjalë Asamblesë së Këshillit të Europës, ku do të kërkojë rishikimin e Rezolutës 1782 dhe shpallje të pabazuara të akuzave për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Kuvendi i Shqipërisë i përcolli në 12 gusht të këtij viti zyrtarisht Këshillit të Evropës rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022. /j.p/