ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë së Veriut në Shkup, se “interesi strategjik i dy vendeve është zgjerimi hapësirës ekonomike”.
“Përtej të gjithë aspekteve emocionale që e lidhin Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas si rezultat i pranisë shtetformuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ky është një nivel i rëndësishëm maturie në të dyja vendet dhe për të dyja qeveritë sepse në fund është interesi i posaçëm strategjik i të dyja vendeve që të zgjerojnë hapësirën e tyre ekonomike, të zgjerojnë kapacitetet e tyre për të prodhuar më shumë mirëqenie dhe të zgjerojnë horizontin e të ardhmes së tyre dhe të gjithë njerëzve që banojnë dhe janë të lidhur drejtpërdrejt me vendet tona”, tha ai.
Kryeministri vlerësoi se në këto vite ka ndodhur një ndryshim epokal po të kemi parasysh nga jemi nisur.
“Edhe në marrëdhëniet tona ka ndodhur një ndryshim epokal. Kanë qenë gjithmonë marrëdhënie të mira, por jo shumë të mira. Sot janë marrëdhënie të shkëlqyera edhe si rezultat i konsolidimit demokratik të Maqedonisë së Veriut dhe si rezultat i transformimit të vetëdijes se bashkëjetesa harmonike është rruga më e mirë drejt së ardhmes së përbashkët, që është përkthyer në një mishërim konkret përmes vetë kësaj qeverie”, tha Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se ka ende shumë mundësi për të bërë shumë më tepër, por theksoi se “nuk duhet të harrojmë se kjo që kemi bërë së bashku jo vetëm nuk është pak, por është më shumë se gjysma e punës, sepse kemi vendosur themele shumë të forta për të ndërtuar vit pas viti, dekadë pas dekade, një të ardhme të sigurt”.