/ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot draftin me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.
Rama u ndal te mënyra e caktimit të masave të sigurimit dhe forcimi i alternativave ndaj arrestit në burg.
Gjatë prezantimit të draftit, Rama solli në vëmendje një episod me profesoen Rafael Pariso, e cila, sipas tij, kishte vënë në dukje një problem konceptual në renditjen e masave në Kodin shqiptar.
“Një kod që fillon me arrestin me burg dhe zbret pastaj te masat më të lehta, e mëson sistemin me këtë renditje dhe e nxit që të mendojë gjithnjë burgun si të parin”, tha Rama, duke argumentuar se pikërisht kësaj logjike synon t’i kundërvihet paketa e re.
Sipas kryeministrit, gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta dhe të vlerësojë arrestin në shtëpi, duke arritur te arresti me burg vetëm kur alternativat e tjera nuk janë të mjaftueshme.
Në draft sipas Ramës parashikohet që, për veprat penale me dënim maksimal deri në 3 vjet, si rregull të mos caktohen masa shtrënguese, ndërsa për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet të mos caktohet arresti me burg.
“Kështu për shembull për veprat me dënim maksimal deri në 3 vjet, si rregull nuk do të caktohen më masa shtrënguese. Për vepra me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg. Natyra e rëndë e veprës e marrë më vete nuk do të mjaftojë më. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës nuk mund të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual dhe i mbështetur në fakte që lidhen me vetë personin”, tha Rama.
Sipas tij “gjykata duhet të bëjë vlerësimin e saj të pavarur dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit dhe nuk arsyeton pse masat më të buta nuk mjaftojnë, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit”.
Rama tha se “sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, të llogaritur natyrisht sipas gjendjes reale financiare të personit, me përjashtimet e domosdoshme për rrezikun ndaj provës, krimet e rënda me dhunë, terrorizmin, veprat kundër rendit kushtetues dhe çështjet specifike që janë kompetencë e gjykatës së posaçme”.
Sipas kryeministrit, çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet që justifikojnë masën vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato.
“Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato. Liria nuk mund të kufizohet njëherë dhe pastaj të harrohet sikur nuk ekziston më”, tha ai.
Në prezantimin e tij, Rama tha se “po ashtu, paketa forcon edhe mbrojtjen e njerëzve në gjendje të cenueshme, nëna me fëmijë deri në 6 vjeç, babai ose kujdestari kur nëna nuk jeton ose nuk është në gjendje të kujdeset, personat mbi 70 vjeç, të sëmurët rëndë dhe personat në programe terapeutike nuk mund të trajtohen më sikur rrethanat e tyre njerëzore të mos ekzistojnë”, tha Rama.
/m.q/ /a.g/



























