ATSH/ -Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar sot shkrimtarin Dhimitër S.Shuteriqi.

“Dhimitër S.Shuteriqi u nda nga jeta në 22 korrik të shtatëmbëdhjetë viteve më parë, pas një rrugëtimi plot 87 vjet që nisi në Elbasan, ku ai lindi në derën e mirë të një familjeje patriotësh, bir i intelektualit Simon Shuteriqi, i cili njihet si anëtar i Kongresit të Manastirit. Dhimitri kreu studimet e larta në Francë e pastaj shërbeu si mësues në Normalen e Elbasanit për të vijuar në Tiranë pas luftës shërbimin e tij publik, ndërkohë që shkrimet e tij të para datojnë në vitet ’30”, shprehet Rama.

“Emri i tij lidhet me letërsinë, të cilën e lëvroi përgjatë krejt rrugëtimit të tij, por kontributet e tij si studiues e si personazh publik i një kohe të zymtë prej dekadash, nën regjimin komunist mbeten të vyera për vendin e për kujtesën e atyre që e njohën. Ai i përkiste rrethit të disa mendjeve të ndriçuara që i dhanë shkëlqim Akademisë së Shkencave në fushën e gjuhës amtare dhe i dhanë jetë njërës prej fare të paktave trashëgimi të vyera kombëtare të asaj kohe, Gjuhës Letrare Shqipe”, thekson Rama.

Rama shton se “si personazh publik në atë kohë të sekëlldisshme, Dhimitër S.Shuteriqi i përkiste një dore të vogël shqiposh, që erdhën nga Perëndimi me borsalinë e iu adaptuan kornizës së prerë me sëpatën e Lindjes ku qëndroi e ndryrë për thuajse gjysëm shekulli Shqipëria, duke ruajtur një ekuilibër të çuditshëm që i bënte sa të vlefshëm për regjimin, aq edhe dukshëm të huaj nën petkun e tij”.

“Nuk e kam njohur personalisht, por hijen e vonë ia mbaj mend së largu dhe s’di pse më ka mbetur në kujtesë si plaku me parfum”, është shprehur Rama.

/gj.mima/ /a.g/