Shqipëria po kthehet në një destinacionin turistik të preferuar.
Statistikat tregojnë se fluksi i turistëve përgjatë pjesës së parë të këtij viti ka tejkaluar kulmin e sezonit të para pandemisë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje të punimeve në kantierin e terminalit të ri të aeroportit “Nënë Tereza”.
Sipas tij, Shqipëria ka arritur në këta muaj të parë të vitit, kulmin e fluksit të turistëve të gushtit 2019.
Ai shprehet i bindur se Shqipëria do të jetë kampione e Ballkanit në turizëm, brenda kësaj dekade.
“Që Shqipëria po rritet ndjeshëm në imazhin e saj ndërkombëtar dhe që ne do të jemi kampionët e Ballkanit në turizëm, brenda kësaj dekade, kjo s’ka diskutim po që do të arrinim, në këta muaj të parë të vitit, kulmin e fluksit të turistëve të gushtit 2019, kjo është për të gjithë ne një surprizë shumë e mirëseardhur. Kjo do të thotë më shumë ekonomi, më shumë konsum, më shumë punë, më shumë të ardhura nga shërbimet dhe patjetër, më shumë fluturime e turistë akoma në muajt që vijnë”, deklaroi Rama.
Sipas të dhënave të INSTAT, mbi 671 mijë shtetas të huaj kanë hyrë në territorin shqiptar në periudhën janar-mars, shifër 30 % më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit aktualisht kryhen rreth 104 fluturime në ditë.



























