/ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot tenorin Josif Gjipalin në ditën e lindjes duke e cilësuar atë si një ndër zërat kumbues të Shqipërisë në skenat e mëdha të botës operistike.

“Sot, Josif Gjipali mbush 47 vjeç dhe duke i uruar të qëndrojë sa më gjatë në majat e artit të tij, uroj që të tjerë akoma ta ndjekin në vazhdën e një historie të bukur yjesh shqiptarë plot shkëlqim në skenën e botës”, – shprehet Rama.

Kryeministri Rama tha se “Gjipali e nisi nga Vlora rrugëtimin për ta pushtuar atë botë. Shqipëria, ku Josifi u afirmua shpejt si një tenor i klasit të parë u bë shpejt shumë e vogël për fuqinë magjepsëse të zërit të tij, që mbërriti deri në tempullin botëror të La Scala-s, në Milano, e u përhap në skenat më prestigjoze të disa kontinenteve, duke marrë vlerësime të admirueshme nga kritika e muzikës operistike”.

Tenori me famë botërore Josif Gjipali ka interpretuar në skenat më të njohura, si “La Scala” në Milano, Teatri i Operës së Parmës, në Operën e Marsejës, atë të Berlinit, të Vjenës e Mynihut, si dhe në Operan Mbretërore të Londrës, etj. Gjipali disa herë ka kënduar nën dirigjimin e mjeshtrave të mëdhenj të muzikës klasike, Rikardo Muti dhe Zubin Mehta./k.s/ /a.g/