/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot nga Kukësi se “mandati ynë i tretë është garancia që reforma në drejtësi dhe drejtësia do të funksionojë, që edhe politikanët edhe biznesmenët, edhe të pasurit, edhe kriminelët, të gjithë pa dallim do japin llogari dhe nuk do rrinë në pritje burgjet që janë ndërtuar me paratë e Bashkimit Europian”.

“Mandati i tretë i yni është mandati që i vë vulën përfundimisht një transformimi që bëhet i pakthyeshëm, ndërsa ndërprerja e rrugës tonë i kthen të gjitha mbrapsht, sepse të gjitha janë punë që duhen çuar përpara dhe duhen mbyllur”, – tha Rama në fjalën e tij në aktivitetin “Deputeti që duam” në Kukës.

Kryeministri Rama tha se “nuk të fut në burg as partia në pushtet, as qeveria, as Kryeministri”. “Të fut në burg drejtësia dhe që drejtësia të fusë në burg duhet të hyjnë në burg ata që e kanë penguar drejtësinë të fusë në burg, prokurorët e gjykatësit e korruptuar, ata të cilët ka filluar t’i pastrojë Vetingu bashkë me ata që s’janë pastruar akoma por që e dinë që s’do e kalojnë Vetingun e vazhdojnë bëjnë krime me atë çekiçin e gjykatësit”, u shpreh Rama.

“Duhet të shkojnë ata në burg ashtu siç thotë edhe Këshilli Europian, siç thotë edhe BE-ja që Shqipëria për t’u bërë anëtare e kësaj familje duhet të fusë në burg gjykatësit e prokurorët, të cilat kanë dalë nga Vetingu se kanë pasuri të pajustifikueshme, ata duhet të japin llogari për atë pasuri”, – tha Rama.

Sipas tij, sistemi i drejtësisë, i pastruar me prokurorë e gjykatës që kanë integritet, që kanë kaluar vetingun dhe që nuk ia dinë për nder as PS-së, as PD-së që janë aty do merren pastaj me të gjithë, edhe me politikanët, biznesmenët edhe ata që presin majtas, djathtas, qoftë me kollare, qoftë me revole.

“Ku ka peshq më të mëdhenj në llumin e korrupsionit 30-vjeçar në Shqipëri se ata që morën peng gjykata dhe prokurori, duke lënë të lirë kriminelët që vranë bijtë e nënave. I bënë gjykatat si stacione tranziti ku kriminelët hynin nga dera e dilnin nga dera tjetër”, – tha Rama./k.s/j.p/