Duke marrë fjalën sot në Kuvend mbi ndryshimet që parashikon pr.ligji për hidrokarburet, Ekonomi theksoi se “kuadri legjislativ aktual është elementar dhe krijon pasiguri si për tatimpaguesit por edhe për administratorët e këtij sistemi që janë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN)”.

Në thelbin e tij, vijoi Ekonomi, kuadri ligjor ekzistues përcakton një rent prej 10% dhe një tatimfitim prej 50%.

“Ky tatimfitim aplikohet dhe përcaktohet në secilën marrëveshje të hidrokarbureve më vete. Kjo bën që baza e taksës të ndryshojë nga marrëveshja në marrëveshje duke krijuar çështje të vështira ndërlidhjeje me legjislacionin fiskal ekzistues. Këto çështje të mbartuara ndër vite, adresohen në projektligjin që diskutojmë sot”- tha Ekonomi.

Sipas saj, projektligji i ri ka qëllim të reformojë ndikimin e ardhshëm fiskal në sektorin hidrokarbur përmes një reforme të gjerë sektoriale të qartë në vizion dhe të mirëartikuluar.

“Reforma e regjimit fiskal në sektorin e hidrokarbureve kryesisht do të aplikohet për investimet e reja. Përmes kësaj reforme dhe përmes këtij projektlikgji qeveria synon dhe kërkon të thjeshtojë regjimin fiskal duke ofruar më shumë siguri për zbatimin e tij duke krijuar një sistem të mbrojtjes për tatimin mbi fitimin në operacionet hidrokarbure dhe mundësi të barabarata për investime në operacionet e reja hidrokarbure”- deklaroi ajo.

Një vend specifik në këtë projektligj zë dhe shpërndarja e detyrave dhe përgjegjësive në sektorin e hidrokarbureve midis AKBN dhe DPT. Synimet e projektligjit, tha Ekonomi, do të çojnë në një rol të shtuar për sa i takon interesave të shtetit shqiptar mbi pasuritë natyrore duke përcaktuar konceptin operacional të hidrokarbureve që nuk ishte i përcaktuar në ligjin e parë.

Ekonomi u shpreh se, “projektligji i jep një pamje të qartë sistemit fiskal të hidrokarbureve në Shqipëri dhe synon kalimin nga norma 11,2% në të paktën në 16% pjesë të shtetit, duke futur koeficientin e shpenzimeve që në fuçinë e parë që do të jetë 85% krahasuar me të ardhurat”.

Pra, shpjegoi ajo, nëse do të kishim 100 lekë të ardhura nuk do të përdoreshin 100% për mbulimin e kostove por vetëm 85% e tyre dhe 15% konsiderohet fitim dhe ndahet me shtetin.

“Pra nëpërmjet këtij mekanizmi nuk rritet barra fiskale për subjektet por rishpërndahet në kohë fitimi që ato realizojnë duke garantuar që në fuçinë e parë shteti të marr 16% të të ardhurave nga ky sektor, që nuk e ka marrë më parë gjatë kësaj periudhe”- tha Ekonomi.

Ajo theksoi se, dispozitat e këtij pr.ligji janë diskuar me organizmat ndërkombëtar dhe grupet e interesit në vend ndaj ky projektligj, tha Ekonomi, “vjen në formën e kërkuar dhe i përgjigjet zhvillimit me standarde”. /j.p/