ATSH/ Komisioni i Integrimit Europian shqyrtoi p/ligjin “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, i hartuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit në bashkëpunim me GIZ.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e pranishme në Komision u shpreh se p/ligji ka qëllim detyrimin e subjekteve për të identifikuar dhe regjistruar në një regjistër të posaçëm pronarët e tyre përfitues, me anë të krijimit të një kuadri ligjor.
“Ky projektligj vjen në kuadër edhe të rekomandimeve të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të terrorizmit. Realizimi i këtij regjistri sjell daljen në një kohë optimale të Shqipërisë nga monitorimi i shtuar i vendosur në shkurt të këtij viti apo siç njihet “lista gri” ”, tha Denaj.
Ky projektligj, tha ajo, parashikon që subjektet përfituese raportuese ekzistuese kanë detyrimin që brenda 30 ditëve të krijojnë një dosje të veçantë ku do të identifikohen pronarët përfitues.
“Pronarët e bizneseve që nuk regjistrojnë të dhënat në regjistrin e pronarëve përfitues nga do të gjobiten për shkelje në masën 150 mijë lekë deri në 500 mijë lekë”, tha Denaj.
Ministrja Denaj tha se regjistri do të jetë gati brenda datës 3 janar 2021 dhe subjektet kanë detyrimin të regjistrojnë të dhënat e tyre në një kohë jo më shumë se 60 ditë.
Sipas p/ligjit, mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 500 mijë lekë. Po ashtu, në p/ligj përcaktohet se mosregjistrimi i çdo ndryshimi në të dhënat e regjistruara dhe në dokumentet shoqëruese, që depozitohen në regjistër, brenda afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 250 mijë lekë.
Mospërmbushja e detyrimit të subjekteve raportuese ekzistuese për regjistrimin e të dhënave të kërkuara nga ky projektligj dënohet me gjobë në vlerën 250 mijë lekë”, përcaktohet në p/ligj.
Për shkeljet e parashikuara më sipër, në projektligj është përcaktuar se dënohet me gjobë prej 150 mijë lekësh edhe përfaqësuesi ligjor i subjektit të regjistruar, person juridik.
Gjithashtu, projektligji parashikon se për subjektet që kryejnë shkeljet e parashikuara më sipër, për më tepër se një herë, gjobat do të dyfishohen.
Aktualisht janë rreth 54 mijë subjekte të regjistruara pranë QKB dhe rreth 7 mijë organizata jofitimprurëse të regjistruara pranë Gjykatave./a.gjonaj/ /a.g/