ATSH-DPA/ – Gjiganti saudit i naftës ”Aramco” tha sot se do të zvogëlonte kapacitetin e tij të prodhimit të naftës në 8,5 milionë fuçi në ditë duke filluar nga muaji maj, pasi vendet e mëdha prodhuese të naftës ranë dakord të shkurtojnë prodhimin në mënyrë që të rritin çmimin.
Në një deklaratë për tregun e aksioneve saudite Tadawul, ”Aramco” tha se “do t’u sigurojë klientëve të tij 8,5 milionë fuçi në ditë naftë të papërpunuar duke filluar nga 1 maji”.
Mes një lufte çmimesh midis Arabisë Saudite dhe Rusisë, ”Aramco” kishte thënë muajin e kaluar se do të rriste kapacitetin nga 12 në 13 milionë fuçi në ditë.
Mosmarrëveshja filloi kur anëtarët e OPEC nuk pranuan propozimin e Arabisë Saudite për të ulur prodhimin për të forcuar çmimet e naftës, të cilat kanë rënë gjatë pandemisë së koronavirusit.
Sidoqoftë, njoftimi i fundit i ”Aramco” vjen pasi ministrat e vendeve të OPEC+, një format i zgjeruar i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), ranë dakord për të ulur prodhimin me 9,7 milionë fuçi në ditë për majin dhe qershorin.