TIRANË, 24 prill/ATSH/ – Nisi sot operacioni i rindërtimit të shkollave me prishjen e objekteve të dëmtuara në 26 nëntor, të cilat do të ndërtohen nga themelet me standardet më të mira europiane.

Shkollat që po shemben janë, “Sami Frashëri” në Tiranë, shkolla 9-vjeçare “Ramazan Subashi” në Vorë, “Sherif Dervishi” në Krujë, ’16 Shtatori’ në Shijak dhe ‘Charles Telford’ në Kavajë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se procedura për fillimin e rindërtimit të të gjitha shkollave të dëmtuara nga tërmeti është në proces dhe sot ka filluar hapja e të gjitha shesheve të ndërtimit në disa pika”.

“Standardi është eurocode 8. Hapësirat mësimore rriten, kapaciteti për klasë shkon në 24 nxënës që është fantastike. Po ashtu, në klasat, kopsht parashkollor ka një rritje të numrit të klasave dhe ulje të numrit të nxënësve për klasë. Janë me laboratorë kimie, fizike, biologjie dhe informatike që të gjitha shkollat. Pastaj kanë të gjitha bibliotekë, hapësira multi-funksionale, Kanë të gjitha sallë të edukimit fizik. Palestër me 400 m2. Me ambiente ndihmëse me dushe, garderobë, me tualete”, theksoi Rama.

“Hapësirat administrative i kanë të gjitha, me zyrat, sallën e mësuesve, kabinetin e psikologut, kabinetin e infermierisë, bllokun e shërbimeve. Në hapësirat e jashtme  me pista vrapime, fushën multifunksionale për basketboll, volejsboll, tenis dhe kënd sportive, mini-futboll. Oborrin e sipërm për aktivitete të përditshme e kanë 1810 m2 të standardizuar. Oborri i poshtëm është 6244 m2, ku janë të gjitha hapësirat sportive, ku kanë më në fund kopshtin bujqësor me serat”, u shpreh Kryeministri Rama.

Rama tha se “një gjë shumë e rëndësishme për t’u mbajtur parasysh është edhe elementi që sjell situata e re e krijuar. Është një situatë që nuk do mbarojë shpejt, por njëkohësisht i gjithë procesi i hapjes do të jetë dhe një process adoptimi i distancimit social dhe një metode tjetër komplet të organizimit të punës, të organizimit të mësimit dhe për këtë arsye duhet patjetër të fusim elementin e kapacitetit dixhital, për të pasur një kombinim mes mësimit në klasë dhe mësimit online për nxënësit e shkollave. Në mënyrë që deri kur kjo mortje të ketë marrë fund me vaksinën, të kemi turne javore me një pjesë që vjen në klasë, një pjesë që vazhdon mësimin nga shtëpia”.

Kjo theksoi Rama, “do të thotë që duhet të pajisim me një kapacitet mësimdhënie të drejtpërdrejtë, siç po bëjmë ne këtu sot për komunikimin. T’i pajisim me një kapacitet të drejtpërdrejtë shkollat edhe fëmijët. Kështu që kjo duhet të mbahet parasysh si komponent”.

/gj.mima/ /a.g/