/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk jemi të shqetësuar për sa i përket stabilitetit të sistemit tonë shëndetësor, por nëse veprojmë tani, nëse nuk reagojmë me përgjegjësi, nëse nuk bëjmë detyrën atëherë situata rrezikon seriozisht të përkeqësohet”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp lidhur me situatën e COVID-19 me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes  Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryeministri Rama theksoi se “po shohim një rritje të numrit të infektimeve kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të virusit COVID-19, kur po rritet infektimi i moshave më të reja dhe faktikisht po ulet edhe mesatarja e moshës së të shtruarve në spitalet COVID”.

“Natyrisht ne jemi shumë të motivuar që të bëjmë gjithçka si duhet në mënyrë që të mos detyrohemi të kthehemi tek masat e forta kufizuese, por për këtë duhet motivim i gjithë secilit”, nënvizoi  Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ky është një moment për një përgjegjësie maksimale qytetare nga gjithsecili sepse ajo që po konsiderohet kudo si një tjetër valë infektimesh dhe që u vu re me numra që u rritën me mënyrë dramatike pak kohë më parë në vendet e Europës, po reflektohet tani edhe këtu”.

“Masat që janë në fuqi janë masa të cilat në këndvështrimin e ekspertëve të Komitetit të Ekspertëve Teknikë funksionojnë, por që të funksionojnë ashtu siç duhet, duhen zbatuar ashtu siç duhet. Qasja e autoriteteve të shëndetësisë dhe atyre që janë përgjegjëse për zbatimin e e këtyre masave ka qenë një qasje më shumë sensibilizuese dhe mirëkuptuese sesa represive. Mirëpo me sa duket nga çfarë konstatohet prej autoriteteve të shëndetësisë që janë në terren në javët e fundit vihet re një rënie e angazhimit të qytetarëve duke filluar nga vendosja e maskës kudo jashtë shtëpisë, duke vazhduar me zbatimin e rregullave të vendosura për njësitë tregtare dhe natyrisht edhe me ato eksese të patolerueshmë në lokale të caktuara apo qoftë edhe nga politikanët” , – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “me politikanët do ta bëj shumë të qartë nuk kam parasysh vetëm politikanët që i përkasin partive të tjera edhe ata që janë pjesë e partisë që unë drejtoj, të cilët shkelin  rregullat duke u mbledhur në salla e dhoma me më shumë se personat e përcaktuar si numër nga Komiteti Teknik. Është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme”.

“Të gjitha bashkë bëjnë pastaj në tërësi atë që nuk duket sot si një front i bashkuar përgjegjësish individuale e komunitare në luftën kundër COVID. Numri i infektimeve rrezikon të rritet edhe barra e ngarkesës mbi sistemin shëndetësor rrezikon të rëndohet në kushtet kur është e shmangshme. Jemi të qartë që masat propozohen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve nga askush tjetër, por nga ana tjetër ne, qeveria dhe ju në anën e mediave kemi detyrimin të bëjmë më shumë se të tjerët, ne të parët që zbatimi i masave të jetë sa më korrekt”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se “tashmë është e konfirmuar që Pfizer do të fillojë lëvrimin e sasive të tjera hap pas hapi duke nisur nga mesi i shkurtit. Vaksinat do të shtohen dhe numri i vaksinave do të rritet sipas kalendarit. Por koha kur vaksinat dhe masa e numrit të këpusë zinxhirin është ende larg në të gjitha vendet dhe është ende larg edhe këtu”.

k.s/