ATSH/- Banka e Shqipërisë ka pezulluar shpërndarjen e fitimeve të bankave tregtare për vitin 2020.

Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së, vendosi të shtyjë për gjithë vitin kalendarik vendimin e mëparshëm, që i shtrinte efektet deri në fund të muajit qershor. Vendimi përfshin fitimet e mbartura nga periudhat e mëparshme, si edhe të fitimit që do të realizohet për vitin 2020.

Kjo masë synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

Fitimet e bankave për vitin 2019 kishin vlerën 27 miliardë lekë dhe përbënin 17.5% të strukturës totale të kapitalit aksioner të bankave.

BSH konfirmon se, kriza që shkaktoi Covid-19 e gjeti sistemin bankar në momentin më të mirë pas dekadës së fundit, pasi arriti të absorbonte mirë efeket e krizës financiare. Raporti i kredive me probleme ka zbritur në nivelin 8.1%, niveli më i ulët që prej vitit 2009 dhe bankat kanë rritur aktivet e tyre duke iu përgjigjur tregut për nevojat financiare. e.xh/j.p/