Duhet të presim ende për të parë një Shumaker të garojë në pistën e Formula 1. Koha e keqe në Gjermani i ka mohuar debutimin në provën e parë të lirë Mick Shumaker, djalit të legjendës Majkëll Shumaker. 21-vjeçari duhet të zëvendësojë në makinën e Alfa Romeos Antonio Giovinazzi.
Organizatoret bënë përpjekjet maksimale që provat të zhvilloheshin, por moti i keq e bëri të pamundur që djali i shtatë herë kampionit të Formula 1 të zbriste në pistë, për të regjistruar dhe një herë mbiemrin Shumaker në një provë zyrtare të Formula 1. Debutimi i Mick Shumaker kishte ngjallur interesin e të gjitha mediave në mbarë botën.
Një fundjavë aspak mirë për Formula 1, pasi në skuadrën e Mercedes është zhvilluar rasti i parë me coronavirus dhe dy pilotët Lewis Hamilton dhe Valtteri Bottas duhet të jenë shumë të kujdesshëm për të evituar infektimin, pasi mund të ishte një problem jo i vogël nëse do të humbnin ndonjë prej garave.
Hamilton edhe këtë javë do të provojë që të arrijë rekordin e legjendës Majkëll Shumaker me 91 sukses në garat e F1, diçka që nuk mundi ta realizonte në garën e fundit.