Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se agjenci turistike nga 2-3 vende të Bashkimit Europian kanë shprehur interes për sezonin turistik në Shqipëri.

I pyetur në një intervistë televizive në lidhje me sezonin turistik, Rama  tha se, “kjo është pyetja më e vështirë. Është pyetja që unë ia bëj vetes çdo ditë në mëngjes, dhe gjatë gjithë ditës, ka gjithmonë momente kur kërkojë të di se çfarë bëjnë të tjerët. Edhe me kolegë të tjerë kryeministra komunikoj. S’kam përgjigje. Asnjë s’ka asnjë përgjigje. Është një situatë ku askush nuk di se çfarë vjen prapa. Sidoqoftë ministri i Turizmit po punon me grupin e tij, me specialistë të OBSH për të kuptuar se çfarë do ndodhë”.

Rama tha se, “gjëja që duket më probabël është se ky sezon nëse do të ketë turizëm, do të jetë një sezon atipik, ku turizmi do të jetë i brendshëm. Për Shqipërinë është mirë, se shumë të pasur që mezi presin të shkojnë në vendet më të shtrenjta, do të zbulojnë Shqipërinë, dhe bukuritë e vendit dhe do mund të shpenzojnë një pjesë, jo të gjitha të atyre që kishin menduar të shpenzonin. Kjo do ndihmojë industrinë tonë, shoqërinë. Ne hyjmë tek vendet që ankohemi se do vdesim për bukë dhe shpenzojmë më shumë për turizëm jashtë vendit. Turizmi i brendshëm është më probabël, si opsion. Se kemi të qartë. Por bashkë me majin do të vijnë dhe qartësira edhe në këtë drejtim”.

“Ne jemi të kërkuar, të telefonuar edhe nga 2-3 vende të Europës, BE, nuk po përmend emra, ku agjencitë e tyre turistike e shohin Shqipërinë si vendin më të sigurt. Pse? Për shkak të çka kemi bërë me COVID-in, po kjo është shumë e përkohshme, nuk është ende një rezultat, një bilanc final që të mund të themi po. Nuk e di sa ju ndihmova. Por këtu është stadi i përgjigjes në këtë moment. Edhe përgjigja është si ato biznese që do të hapen javës tjetër. Është me portokalli”, theksoi Rama.

/gj.mima/j.p/r.e/atsh