/ATSH/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë për reformat e nevojshme për t’u bashkuar me BE-në.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim është shprehur se, Amerika do të vijojë që të mbështesë fuqimisht reformat për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ambasadorja Kim ka shpërndarë mesazhin e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e cila ka theksuar se, “nuk ka dyshim, Ballkani Perëndimor i përket BE-së. Unë u bëj thirrje qeverive të tyre që të vazhdojnë të zbatojnë reformat, veçanërisht për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirisë së medieve”.
Në reagimin e saj Kim ka nënvizuar se kjo është “shprehje e shkëlqyer e solidaritetit me Ballkanin Perëndimor. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht Shqipërinë, përpjekjet për reformat e nevojshme për t’u bashkuar me BE-në”.
/gj.mima/