ATSH-AFP/ – Kërcënimi i sulmeve terroriste në vendet paqësore është zvogëluar që nga fillimi i vitit, me shumë mundësi për shkak të kufizimeve në lëvizje të detyruara nga pandemia, por strategjia e grupit Shteti Islamik duket e pandryshuar, tha sot një zyrtar i OKB-së.

“Në zonat e konfliktit, kërcënimi është rritur, siç dëshmohet nga konsolidimi dhe intensifikimi i aktiviteteve të ISIS-it në Irak dhe Siri”, tha Vladimir Voronkov, Nënsekretari i Përgjithshëm për Antiterrorizmin, para Këshillit të Sigurimit.

“Në zonat që nuk preken nga konflikti, kërcënimi shfaqet i zvogëluar. Masat për të kufizuar përparimin e COVID-19, të tilla si izolimi dhe kufizimet e lëvizjeje, duket se kanë zvogëluar rrezikun e sulmeve terroriste në shumë vende”, shtoi ai, pa i identifikuar ato.

Voronkov theksoi, gjithashtu, se nuk ka tregues të qartë për një ndryshim në drejtimin strategjik të ISIS me udhëheqësin e ri, xhihadist Amir Mohamed Saïd Abdel Rahman al-Mawla, i cili pasoi themeluesin e ISIS-it, Abu Bakr al-Baghadi, i cili u vra në fund të tetorit në një sulm amerikan në Siri./ /ervo/