ATSH-AFP/ – Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të mblidhet sot për të diskutuar për tensionet mes Izraelit dhe Hamasit, pas bombardimeve që kanë shkaktuar vdekjen e shumë fëmijëve dhe shkatërruar ambjente të mediave ndërkombëtare në Rripin e Gazës, nga ku raketa të shumta janë lëshuar drejt qyteteve të mëdha izraelite.

Që prej fillimit të kësaj dhune mes shtetit hebre dhe grupeve palestineze të Rripit të Gazës, të paktën 157 persona, pjesa më e madhe palestinezë janë vrarë.

Dhjetë palestinezë, mes të cilëve dy gra dhe tetë fëmijë, anëtarë të dy familjeve, kanë humbur jetën nga një sulm izraelit në kampin e refugjatëve të Al-Shatit, në qytetin e Gazës.

Më vonë, ndërtesa 13 katëshe ku ndodheshin kryesisht stacionet informative të Al-Jazeera dhe agjencia amerikane e shtypit, Associated Press (AP) u shkatërruan nga sulmet e ushtrisë izraelite, që kishte kërkuar më herët evakuimin e ndërtesës.

Forcat izraelite konfirmuan se ndërtesa strehonte entitete që i përkisnin shërbimit ushtarak të lëvizjes islamike të armatosur të Hamasit, për të cilën pretendon se përdor civilë si “mburoja njerëzore” në Rripin e Gazës, një territor palestinez me dy milion banorë./ /ec/