TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Shqipëria ka mbyllur daljen e saj të katërt në tregjet e kapitalit duke emetuar me sukses një Eurobond me vlerë 650 milionë euro, me kupon 3.5% dhe me normë interesi të tregtimit 3.625%. Eurobondi ka një afat 7-vjeçar.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministri Edi Rama dhe ministrin për Rindërtimin Arben Ahmetaj deklaroi se interesi i investitorëve ka qenë tepër i lartë me një ofertë mbi 3 miliardë euro, me një raport të mbulimit të nevojave të Qeverisë Shqiptare mbi 4 herë, duke shprehur qartazi besimin e rritur të investitorëve.
“Kanë qenë 190 investitorë, të cilët në tregjet ndërkombëtare, në Europë dhe Amerikë dhe kanë ofruar mbi 4 herë vlerën që ne kërkuam”,deklaroi Denaj.
Financimi i siguruar nga Eurobondi, tha ajo, do të përdoret për financimin e projekteve prioritare, për të ri-financuar Eurobondin e marrë në vitin 2015, në një vlerë prej 250 milionë euro, si dhe për të plotësuar nevojat për financim për vitin 2020.
“Pavarësisht situatës së shkaktuar nga COVID 19 dhe sfidës emergjente të tërmetit të vitit 2019, Shqipëria arriti të vlerësohet maksimalisht nga investitorët.
Sipas Denaj, eksperianca e dy ditëve Roadshow konfirmoi edhe një herë jo vetëm interesin e shtuar të investitorëve të huaj, por edhe vlerësimin e tyre për reformat e qeverisë dhe konsolidimin fiskale të arritur në vite, si dhe besimin se ky konsolidim fiskal përtej planeve të rimëkëmbjes do të realizohet.
Në këtë transaksion Shqipëria u asistua nga JP Morgan; Citi Bank; Banka IMI dhe Raiffeisen Bank International AG, si dhe dy konsulentë atë financiar dhe juridik.
ATSH