Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij në Kuvend ka thënë se nisma e PS për shkarkimin e Presidentit është e mirëargumentuar në dokumentin që 50 deputetë firmosën.

Balla theksoi se Ilir Meta ka ‘përdhunuar’ institucionin e Presidencës në mënyrën më të turpshme, ndërsa shtoi se Shqipëria nuk ka nevojë për një president që ditën të jetë Kreu i Shtetit dhe natën kryetar i shtabit elektoral të një partie, cilado qoftë ajo.

Balla: Në respekt të këtij dinjiteti ne respektojmë një vullnet masiv të qytetarëve dhe demokratët e thjeshtë të këtij vendi. Ilir Meta është një person që e ka përdhunuar institucionin e Presidencës në mënyrën më të turpshme.

Në dokument gjendet çdo provë juridike për të justifikuar procedurën e shkarkimit.

Ne e kemi theksuar edhe në rezolutën e parë për shkarkimin e Presidentit që duam që Shqipëria të ketë një president mbi palët dhe të punojë çdo ditë me të gjitha forcat në dobi të çuarjes para të integrimit. Ne nuk duam një president që ditën të jetë president dhe natën kryetar i shtabit elektoral të një partie.

Në 2021 Shqipëria meriton në hetim të plotë të sjellje së presidentit para dhe gjatë fushatës, duke nxjerrë në pah të gjitha problematikat që bien në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

Në biem të gjithë dakord që thirrjet për dhunë ishin shkaku që çuan në veprime kriminale nga një pjesë e opozitës. Jam dëshmitar i një sjellje kriminale të PD në Elbasan që krijoi grupe të armatosura të cilat çuan në vrasjen e një qytetari autokton të Elbasanit dhe për mua ajo vrasje ka një detyrim për t’u zbardhur deri në detaj. Nga atentatori dhe deri te urdhëruesit e këtij akti kriminal.

Ngritja e një strukture të armatosur është një akt i dënueshëm që Prokuroria duhet të bëjë detyrën jo vetëm ndaj atyre që shkrepën armët. Mendoj që PD ka kohë që të distancohet nga këto grupe kriminale.

Top Channel