ATSH/- Dy nga 7 masat e Skemës Kombëtare të Mbështetjes së Bujqësisë 2020, adresojnë subvencionime për fermerët në rritjen e produkteve bujqësore vendase “BIO”, si prodhimi më i mirë konkurrues në tregjet e huaja.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2020, financon për fermat organike, për vitin e parë, një vlerën prej 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.

Ndërsa për implementimin dhe certifikimin me Global GAP të produkteve bujqësore, financon fermerët në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore.

Sipas kritereve të përcaktuara, me vendim të qeverisë, përfitojnë financim të gjithë fermerë që aplikojnë certifikimin Global GAP, por jo më shumë se 175 000 lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 hektarë.

Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2020 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zëri “Transfertë në buxhetet familjare” do të përdoret për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve blegtorale, të prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara e subvencionimit të çmimit të plastmasës; shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike; certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike; mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale. e.xh/