ATSH/- Mbi 450 fermerë në Malësinë e Madhe, në veri të vendit, kanë aplikuar nga 16 maj deri më 12 qershor, në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020, për të përfituar financim në zgjerimin e aktivitetit të tyre bujqësor.

Kryetari i Bashkisë në Malësinë e Madhe Tonin Marinaj i tha ATSH-së, se ka një interes të shtuar të fermerëve për të përfituar nga fondet që qeveria ka vënë në dispozicion të tyre për zhvillimin e bujqësisë, ndërsa kanë mbetur edhe 6 ditë nga mbyllja e aplikimeve (në datën 19 qershor 2020), në Skemën Kombëtare.

Sipas tij, fermerët në Malësinë e Madhe kanë aplikuar kryesisht në masat mbështetëse për bletarinë, bimët mjekësore dhe blegtorinë.

Marinaj u shpreh se bletaria, bimët mjekësore dhe blegtorinë, janë tre nga drejtimet kryesore të ekonomisë rurale në zonën e Malësisë së Madhe, të cilat vitet e fundit janë kthyer në emërues i përbashkët për zhvillimin e agroturizmit, sektor me potencial dhe pritshmëri zhvillimi të suksesshëm për të ardhmen e zonës.

Skema Kombëtare e Mbështetjes së Bujqësisë 2020, adreson një fond prej 7 miliardë lekë nga buxheti i shtetit në mbështetje të fermerëve.

Këtë vit Skema Kombëtare mbulon sektorët ruralë, që nuk financohen nga IPARD-i, duke evituar kështu mbivendosjen e financimit.

Konkretisht bletarët përfitojnë 10 mijë lekë për çdo koshere bletësh. Ndërsa rreth 70% e fondit të Skemës shkon për financimin e blegtorëve dhe fermerët që operojnë në sektorin e bimëve mjekësore, përfitojnë 2 milionë lekë për hektarë të mbjellë me këto kultura. e.xh/ /a.g/