Ndërpreja e kampionatit në mënyrë të befasishme, siç ishte rasti edhe në kampionatet e vendit tonë për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka dëmtuar më së shumti ekipet që ishin në top formë.
Elbasani, sigurisht nuk bënte pjesë tek skuadrat që po bënin një sezon të mirë dhe nga java në javë po kaplohej në fund dhe nuk po i largohej dot këtij pozicioni që të dërgon një kategori më poshtë. Një pauzë e tillë mund të shërbejë si reflektim për këtë skuadër dhe pse jo të bëjë më mirë pas rihapjes së kampionatit (nëse do të rihapet).
Aktualisht dy janë skenarët e mundshëm dhe më të besueshëm sa i përket vijimësisë së futbollit. Të luhet pa tifozë ose të pezullohet dhe këto dy skenarët, duket se i japin një dorë ekipit për të arritur mbijetesën, në krahasim me rivalët e tjerë.
Nëse kampionati fillon, duket e sigurtë që do të jetë pa praninë e tifozëve dhe për Elbasanin nuk përbën asnjë problem ky fakt. I mësuar që të luajë pa praninë e tyre kur ka luajtur si pritës, duket se këtë fakt do ta kthejë në favorin e vet edhe në fusha kundërshtare, të cilat në Kategorinë e Parë kanë një tifozeri që u jep një stimul më shumë. Në këtë skenar, Elbasani e ka një avantazh të lehtë, gjithmonë në letër, sepse në fund e tregon fusha gjithçka.
Duket paradoksale për një skuadër që dikur ka pasur armën më të fortë tifozerinë, që stadiumin bosh ta kthejë në avantazh. Në rastin më të keq mund të pezullohet kampionati dhe Elbasani sërish do të ishte i “kënaqur”, edhe pse normalisht të gjithë aktorët e skuadrës duan të luajnë në fushë, siç është normalja, por edhe më e ndershme.
Nëse pezullohet kampionati rrjedhimisht nuk do të ketë ekipe që bien nga kategoria dhe Elbasani do ta arrijë synimin që ka pasur në fillim të sezonit, atë të mbijetesës. Megjithatë, çfarëdo të ndodhë, sezonin e dobët të verdhebluve nuk e zhbën asnjë skenar i mundshëm pas Covid-19.
Elbasaninews.tv