ATSH/- Nëse zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të zhvilloheshin sot, 41.8 për qind e shqiptarëve do të votonin Partinë Socialiste.

Në sondazhin e Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB, u zbulua se 28.2 për qind do të votonin Partinë Demokratike, 10.3 për qind Lëvizjen Socialiste për Integrim, 1.5 % PDIU-në, ndërsa 2.1% partitë e tjera.

Sondazhi zbuloi se edhe nëse të gjitha partitë opozitare do të bëheshin kundër PS, ato do të merrnin 42.7% të votave, ndërsa për Partia Socialiste do të fitonte 44% të votave.

Sipas këtij sondazhi, diferenca mes kampeve është 1.3%, ndërsa vota të paidentifikuara, që ose nuk e kanë vendosur, ose nuk duan të përgjigjen, është 16.1%.  Nga të dhënat e sondazhit, baza e këtyre partive që ka votuar për to në vitin 2017, do të votonte sërish në një përqindje të lartë, rreth 90% për PS dhe PD, ndërsa votuesit e LSI në 2017, do ta mbështesnin vetëm në masë 63.2%.

Të pyetur në lidhje me vendosmërinë për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit 63.2 % shprehen shumë të sigurt që do të dalin në votime, 25.4 % të sigurt, 5% jo të sigurt, 6 % aspak të sigurt, ndërsa 0.3% nuk e dinë ose kanë refuzuar të përgjigjen.

Pavarësisht se në cilin kamp do ta hedhin votën, shumica e shqiptarëve të pyetur nga sondazhi mendojnë se zgjedhjet do të fitohen nga PS (49.1%).

Një masë më e vogël prej 29.6% besojnë se do të fitohen nga PD, 10.9% nga LSI ndërsa 9.7% deklarojnë se nuk do të votojnë.

Studimi u shtri në 12 zona elektorale, periudha e intervistave ishte 22 dhjetor 2020 -13 janar 2021 ku metodologjia e kampionimit ishte shtresëzim me shumë faza/kampione të rastësishëm. Persona me të drejtë vote, të ndarë në mënyrë të barabartë sipas gjinisë u janë përgjigjur 43 pyetjeve. /Euronews/