ATSH/ Krijohet grupi  i parë teknik kombëtar i punës për GlobalG.A.P në Shqipëri me qëllim mbështetjen e zhvillimin e standardeve për zgjerimin e ekporteve bujqësore shqiptare.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Albinspekt bio.inspecta dhe me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC,
ka ndërmarrë iniciativën për krijimin e grupit teknik kombëtar të punës për implementimin e standardit GlobalG.A.P në fruta perimet “Made in Albania”.

Zv.ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Emira Gjeçi e pranishme në takimin që zhvilloi sot në Tiranë grupi i punës, tha se ” GlobalG.A.P është një nga standardet më të kërkuara nga tregjet e Bashkimit Europian dhe më gjerë”.

“GlobalG.A.P në Shqipëri, të inkurajojë dhe mbështesë aktorët e përfshirë nëpërmjet përshtatjes së kërkesave të standardit GlobalG.A.P. me kushtet lokale të Shqipërisë si dhe të jetë një burim informacioni i vlefshëm rreth këtij standardi që është pasaportë për eksportet bujqësore në tregjet ndërkombëatre”, u shpreh Gjeçi.

Grupi teknik i punës përbëhet nga 9 anëtarë: eksportues, konsulentë të certifikuar nga
GlobalG.A.P, kompani konsulente, agronomë, përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe
Zhvillimit Rural, si dhe shoqata të agrobiznesit.

Ky grup synon adresojë disa  çështje të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të standardit

Në këtë takimi përfaqësuesi i grupit teknik kombëtar të punës shpjegoi objektivat e këtij grupi vullnetar të punës dhe punën e deritanishme.

Në takim u diskutua dhe mundësia që në të ardhmen Shqipëria të ketë një standard lokal bazuar në eksperiencën e vendeve fqinje dhe platformën që ofron GlobalG.A.P. Kjo do t’i shërbente përmirësimit të sigurisë ushqimore në sektorin e fruta-perimeve dhe rritjen e standardeve drejt Bashkimit Europian.

Gjithashtu grupi teknik i punës GlobalG.A.P , prezantoi kërkesën adresuar MBZHR në lidhje me amendimin e VKM nr. 100 date 05.02.2020 për mbështetjen dhe masën e financimit të njësive të certifikuara sipas standartit GlobalG.A.P. ku ndër të tjera theksoi rëndësinë e mbështetjes për certifikimin në grup si një model i qëndrueshëm dhe i përshtatshëm për strukturën e bujqësisë në Shqipëri.

Sot eksportet bujqësore shqiptare shkojnë në 75 vende të botës. Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në fund të vitit 2014 në 400 milionë dollarë në fund të vitit 2020, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme.

Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20 %. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot punohen 250 mijë ha tokë. /j.p/