Stuhia e fuqishme e quajtur Ianos që ka goditur Greqinë ka regjistruar viktimën e parë, raportojnë mediat vendase. Sipas tyre, viktima është një grua nga qyteti i Farsala, ndërkohë dy persona të tjerë rezultojnë të zhddukur.

Protothema shkruan se banorët e fshatit Vasili, në Farsala, për t’i shpëtuar “tërbimit” të natyrës janë strehuar brenda një kishe. Sekretariati i Përgjithshëm për Mbrojtjen Civile ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të marrin masa të mbrojtur veten nga rreziqet që vijnë nga stuhia.

Moti i keq i ndikuar nga stuhia Ianos ka shkaktuar dëme të mëdha dhe në Karditsa. I gjithë qyteti është shndërruar në liqen si pasojë çarjes së argjinaturave të lumenjëve. Shumë qytetarë kanë mbetur të bllokuar, raporton newsbomb.al, ndërsa dy persona janë zhdukur në këtë zonë. Sipas autoriteteve, dy të zhdukurit janë një grua që injoroi thirrjet e autoriteteve dhe doli me makinë dhe tani nuk dihet ku gjendet, si dhe një fermer.

Qindra hektarë me të korra janë shkatërruar, me nivelin e ujit që në disa fshatra ka arritur në gjysmë metri.

Dëmi është shumë i madh në të gjithë rajonin. Guvernatori i Thesalisë tashmë ka njoftuar se ai i ka kërkuar qeverisë qendrore që të shpallë rajonin një gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa ka qindra qytetarë të tjerë që kërkojnë ndihmë nga Departamenti i Emergjencave, raporton newsbomb.al.

Probleme të shumta ka dhe në zonën e Trikalas, pasi dhe aty ka argjinatura të lumenjëve që janë çarë nga shiu i rrëmbyeshëm. E gjithë Komuna e Argitheas është pa energji elektrike, ndërsa në disa vendbanime ka një problem të furnizimit me ujë. Më herët, për shkak të valës së fortë të motit të keq, ura “Balanou” në Mouzaki është shembur. Newsbomb