ATSH-A. Fortuzi/  “Vllaznia” ka mundur “Partizanin” dhe vijon të jetë në kryet të klasifikimit pas javë së tetë të superligës shqiptare të futbollit. Fitore ka arritur të marrë edhe “Kukësi” i vendit të dytë, që ka mundur me rezultatin 3-1 “Skënderbeun”, duke ruajtur largësinë me kryesuesit kuqeblu, ndërkohë që “Teuta” e “Laçi”, janë ndarë në një barazim 1-1.

Pas fitores së bardhebluve të “Tiranës” ndaj “Apolonisë” dhe “Bylisit” përballë “Kastriotit”, në orarin e mbrëmjes së të dielës janë zhvilluar dhe tre takimet e tjera të kategorisë superiore, të vlefshme për javën e tetë. “Vllaznia” kryesuese ka arritur të gjunjëzojë “Partizanin” me rezultatin 1-0 në “Loro Boriçi”. Në impiantin e Shkodrës vendosi goli i shënuar nga Dilaver në minutën e 86-të, pas asist të marrë nga Santos, duke përmbyllur me sukses një kundërsulm të shpejtë të vendasve, në momentin kur të kuqtë po ushtronin presion në gjysmëfushën e tyre.

“Kukësi”, i vendit të dytë, bëri detyrën ndaj Skënderbeut, duke fituar 3-1 në “Elbasan Arena” ndaj “Skënderbeut”, ku në asnjë moment nuk e vuri në diskutim suksesin. Për skuadrën e drejtuar nga Gega shënoi dy gola Eze, në minutën me 19-të (pas krosimit të Kotobellit) dhe në të 48-tën, i shërbyer nga Ibraimi. Shqiptari nga Maqedonia e Veriut spikati si asistues edhe në rastin e golit të tretë të shënuar nga Leira në minutën e 52-të. Pas këtij momenti, verilindorët e ulën disi vigjilencës çka solli golin e vetëm të Skënderbeut, të shënuar nga Mensah në minutën e 72-të.

Teuta është e “mallkuar” të barazojë në këtë fazë të parë të kampionatit. Në javën e tetë regjistroi barazimin e shtatë, këtë herë 1-1 përballë Laçit në “Niko Dovana” në sfidën debutuese të trajnerit Shpëtim Duro në krye të kurbinasve. “Djemtë e Detit” shënuar që në minutën e tretë me Dejvi Bregun, por “Laçi” barazoi në fundin e pjesës së parë me 11-metërshin e shndërruar në gol nga Nwabueze.

Pas këtyre rezultateve të javës së tetë, “Vllaznia” vijon në vendin e parë me 19 pikë, e ndjekur nga “Kukësi” me 16 pikë. Më tej janë “Tirana” e “Partizani” me nga 12 pikë. Në vendin e pestë është “Teuta” me tetë pikë dhe asnjë humbje, ndërsa ka rekord barazimesh, 7 të tillë në tetë ndeshje. “Kastrioti” ka po ashtu 10 pikë, “Laçi” ka tetë pikë, “Bylis” vjen më tej me shtatë pikë. Tabela e klasifikimit mbyllet nga “Skënderbeu” dhe “Apolonia” me nga 5 pikë.