/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi nga opozita në parlament të votojë sot ligjin për Azilin, duke e cilësuar atë si një ndër detyrat që Shqipëria duhet të përmbushë ndaj Bashkimit Europian.

Në fjalën e tij në Kuvend ku po diskutohet për ligjin për Azilin, Balla tha se “ky është një ligj tejet i rëndësishëm, një detyrim që Shqipëria ka në kuadër të procesit të integrimit europian. Opozita dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit Euroipan dhe njëkohësisht kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit ta mbështesë sepse përmbush një prej detyrave të shtëpisë”.

Balla tha se “më vjen mirë që opozita parlamentare po merr pjesë në zgjedhje dhe më vjen mirë që përfaqësuesit e saj po vizitojnë Shqipërinë në vende që nuk kanë qenë më parë. Të paktën ju partitë e reja nuk po bëni gabimin trashanik të një partie politike, që pasi ishte 7 vite në opozitë tani u çon nga një letër nëpër shtëpi njerëzve dhe i pyet çfarë halli keni”.

“Një parti që është në opozitë 7 vite dhe nuk paska kuptuar çfarë halle kanë njerëzit dhe tani u çon pyetësorin dhe pa marrë përgjigjen e njerëzve bën edhe programin. Vetëm Lulzim Basha mund  ta bëjë këtë, por ai është fati ynë si kundërshtar, por fati i keq i Shqipërisë që nuk ka një parti politike në opozitë që të krijojë besim. Shpresoj të krijoni ju besim, por mos bëni gafat që bën Basha se nuk ka 700 liqeni Belshi”, – theksoi Balla.

Duke folur për programin e  PD-së, Balla tha se “Lulzim Basha ka në plan ta heqë skemën e ndihmës ekonomike. Ky plan fatmirësisht nuk do të aplikohet kurrë, sepse shanset që Basha të marrë drejtimin e qeverisë janë të barabarta me shansin që ekipi i Belshit të shpallet kampion në futboll. Por mjafton ideja e këtyre sharlatanëve politikë që në vitin 2021 tentojnë të rikthejnë një politikë që avantazhon të pasurit dhe defavorizon të varfrit është një ogur i keq për opozitën”.

“PS ditën që ka marrë drejtimin e vendit ka bërë atë që kishte nevojë Shqipëria, 97% e shqiptarëve taksohen më pak vetëm 3% taksohen më shumë. Biznesit të vogël i them është angazhim dhe sot është fakt biznesi i vogël, ata që kanë xhiro deri 140 milionë lekë të vjetra nuk paguajnë tatim fitimi dhe ata që janë nën 100 milionë lekët të vjetra nuk paguajnë TVSH. Kjo është politikë sociale dhe mbështetëse ndaj biznesit te vogël”, – shtoi Balla.

Sa i përket çështjes që ngriti deputetja Rudina Hajdari, Balla tha se “nëse nuk do të kishte  ujë në rubinetat e familjeve të Librazhdit nuk do të kandidoja më për deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas vitit 2013 ne kemi rikonstruktuar tërësisht rrjetin e ujit të pijshëm dhe jam shumë krenar që Librazhdi e merr ujin e pijshëm në një lartësi mbi 1500 metra dhe është një ndërmarrjet e ujësjellësit të vlerësuara nga KfW si më e mira në Shqipëri për shkak të rezultateve”./k.s/