Kryeministri Edi Rama tha se ndodhet në garë me kohën për të përshpejtuar një proces që u ndërpre dhe u ngadalësua në mënyrë dramatike që në ditën që ra tërmeti dhe nga ana tjetër, sot është tejkaluar një premtim i rëndësishëm për përgjysmimin e taksave për ata që merren me biznes të vogël.
Gjatë një interviste televizive, Rama theksoi se “e kemi tejkaluar këtë premtim”.
“Ky është fakt. Duke bërë që ata, të hyjnë në vitin e parë me taksa zero, TVSH zero dhe me garancinë që me PS-së do të qëndrojnë kështu, deri në vitin 2029”, theksoi Rama.
Rama theksoi se, “unë jam në garë me kohën, për të realizuar sa më parë pagën minimale 400 mijë lekë, brenda mandatit padiskutim, po pse jo edhe më shpejt. Jam në garë për të zgjeruar në 1 janar 2022 fashën e tatimit midis 1.2 milionëve dhe 1.5 milionë lekëve që do ta kenë tatimin mbi pagën nga 8 % – 10 % dhe ata që marrin një pagë nën 400 mijë lekë do ta kenë tatimin zero”.
Lidhur me punësimin Kryeministri tha se çështja e punësimit në Shqipëri është tashmë shumë e qartë.
“Nuk është çështje e mungesës së vendeve të punës, se ka vende të lira pune, por çështja e vendeve të punës me një pagë më të lartë. Pra që rritja ekonomike e Shqipërisë e cila do të jetë një rritje e qëndrueshme dhe e lartë, falë një injektimi masiv që ne do të bëjmë me këto investime, të jetë një rritje ekonomike që të reflektojë në jetën e gjithsecilit”, – u shpreh Rama.
“Pra të rritemi ekonomikisht bashkë, Shqipëria dhe individi. Familja e madhe shqiptare dhe familja e çdo shqiptari, kjo është gara ime”, – deklaroi ai.
Ndërsa vuri në dukje se ”kjo nuk është garë me premtimet e Lulëzim Bashës, që është njësoj si një perzonazh i Tiranës që i shiste “Sahatin e Tiranës” çdokujt që vinte nga provinca në Tiranë”.
“Unë nuk jam këtu për një program elektoral, sepse ne jemi qeveria dhe do të jemi qeveria. Unë jam këtu për të ndarë me shqiptarët Planin e Veprimit 2021-2025, që është faza e parë, për të arritur tek vizioni i Shqipërisë 2030”, – tha Rama. /j.p/r.e/