Një testim i ri serologjik do të nisë të kryhet nga java tjetër në laboratorin e dytë që do të jetë gati edhe për testimet për COVID-19, laboratori i Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza”.
Deklarata u bë sot nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të laboratorit mikrobiologjik të QSUT-së, i cili do të kryejë testin e ri për konfirmimin e diagnozës dhe vlerësimin e imunizimit, duke filluar nga grupet e rrezikut.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. “Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri”, tha Manastirliu.
Në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT janë siguruar aktualisht 6 mijë teste, që janë disponibël. E gjithë struktura e laboratorit e certifikuar është e ngritur për të filluar këtë testim të ri.
Duke theksuar se testimi serologjik do të kryhet në QSUT por nën lidershipin e Institutit të Shëndetit Publik, Manastirliu tha se mbetet prioritet mbrojtja e personelit shëndetësor.
“Dua të them që mbetet prioritet për ne mbështetja dhe mbrojtja e stafit tonë të shëndetësisë. Prandaj dhe ky testim serologjik për të vlerësuar krijimin e antitrupave do të fillojë në grupet më të riskuara që janë personeli mjekësor dhe gjithashtu grupet që janë në shërbime siç janë Policia e Shtetit e të tjerë”, tha ministrja.
Dr. Vjollca Duro u shpreh se laboratori i QSUT-së është i ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe stafi që do të punojë është i trajnuar.
“Laboratori i QSUT-së është ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare, niveli i dytë i biosigurisë. Stafi është i trajnuar, do të punojnë tre mjekë dhe katër staf teknik laborator”, tha dr. Vjollca Duro.
Laboratori i QSUT-së, në një fazë të dytë, do të shërbejë edhe për testimin e kampioneve të dyshuara për COVID-19, me metodën e biologjisë molekulare të Real-Time PCR./m.m/j.p/atsh