Në kuadër të Tetorit Rozë Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulan Balla zhvilloi një takim me gratë socialiste në Elbasan.

Në fjalën e tij, Balla tha se është e nevojshme të rrisim ndërgjegjësimin për t’i sjellë në vëmendje çdo gruaje rëndësinë që ka depistimi i hershëm i një sëmundje që nëse kapet herët, mposhtet.

“Ky muaj duhet të jetë një muaj i një fushate aspak politike, por një muaj sensibilizimi urgjent në çdo familje të Elbasanit, ku ka një vajzë, një grua, një nënë një motër që të shkojnë të gjitha pranë Spitalit të Elbasanit, pranë Poliklinikave dhe Qendrave Shëndetësore për të bërë kontrollin e domozdoshëm që shpëton jetë. Këtë vit shumë do të thonë është COVIDI nëpër këmbë dhe nuk do të shkojnë të bëjnë kontrollin e nevojshëm. Nuk kemi asnjë ditë për të humbur. Aleati i vetëm i këtij armiku po të padukshëm, por që nëse kapet në kohë bëhet i dukshëm dhe i kurueshëm.

I bashkohem thirrjes që bënë doktoreshat si vëlla i një mote dhe biri i një nëne, që i duam shumë, sepse gratë në çdo familje janë pjesa më e mirë e shtëpisë.

Pa ju jeta nuk do kishte kuptim dhe dashuria si fjalë nuk do të kishte kuptim po ashtu”, deklaroi Balla.

Balla i bëri një apel të gjithë grave socialiste të Elbasanit që gjatë gjithë këtij muaji të trokasin dhe t’i dërgojnë një mesazh çdo gruaje të Elbasanit dhe ti kërkojnë të bëjë depistimin sa më parë.