ATSH/ – Pritet që Shqipëria të vaksinojë nga 60 deri në 70% të popullsisë së rritur deri në fund të vitit 2022, sipas metodologjisë së përdorur nga grupi i  Intelligence Unit (EIU) i revistës prestigjioze britanike ”The Economist”.

Metodologjia e përdorur nga Intelligence Unit përshkruan parashikimet më të fundit për shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit, duke pasqyruar kohën kur vendet mund të presin të kenë vaksinuar shumicën (60-70%) e popullsisë së tyre të rritur.

Kriteret e marra parasysh përfshijnë marrëveshjet e furnizimit, kufizimet e prodhimit, hezitimin e vaksinave, madhësinë e popullsisë dhe disponueshmërinë e punonjësve të kujdesit shëndetësor.

Të dhënat janë rregulluar gjithashtu nga analistët për të pasqyruar kushtet specifike në terren.

”Diplomacia e vaksinave do të luajë një rol në përcaktimin se cilat vende marrin akses në një vaksinë në muajt e ardhshëm”, shkruan EIU.

”Ne presim që perspektivat ekonomike globale të qartësohen nga mesi i vitit 2021, me kthimin ekonomik global që do të fitojë shpejtësi në tremujorët e tretë dhe të katërt. Sidoqoftë, jeta nuk do të kthehet në normalitet deri atëherë, pasi programet e imunizimit për pjesën më të madhe të popullsisë do të vazhdojnë deri në mes të vitit 2022”, thekson EIU./ a.jor.