/ATSH/ Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-tetor 2021 kapën vlerën 15,741 milionë lekë, ose 16.48% më shumë se në janar-tetor 2020.

Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, (AMF), gjatë periudhës janar-tetor 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 952,992 me një rritje prej 21.34% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 92.56% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës kanë 7.28%.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.91% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.09% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-tetor 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 5,591 milionë lekë, ose 9.71% më pak se në periudhën janar-tetor 2020, ndikuar kryesisht nga pagesa e pjesës më të madhe të dëmshpërblimeve për tërmetet e fundvitit 2019 gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-tetor 2021 kapën vlerën 3,333 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 31.67% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /j.p/