Një 36-vjeçar në Indi u gjet shëndoshë e mirë disa muaj pasi familja e tij i kishte dhënë lamtumirën e fundit. Sipas The Independent, Deepak Balakrishnan Kandi u shfaq 8 muaj pasi ishte shpallur i vdekur, në një prej rasteve më të çuditshme të personave të zhdukur.

36-vjeçari ishte raportuar i zhdukur që prej 7 qershorit të vitit të shkuar në qytezën e Meppayur. Pas denoncimit si i zhdukur, autoritetet nisën kërkimet. Një trup i pajetë u gjet në një plazh në Kerala, që përputhej me përshkrimin e të riut.

U identifikua si Kandi dhe familja e tij organizoi varrimin dhe më pas kremimin e trupit. Kjo dukej të ishte dhe fundi i kësaj sage, derisa autoritetet zbuluan se kufoma që kishin gjetur, në fakt nuk i përkiste Kandit.

 

Bëhet fjalë për një tjetër person të zhdukur, i cili kishte ngjashmëri fizike me 36-vjeçarin. Kërkimet për Kandin rinisën sërish dhe një test ADN-je konfirmoi lajmin.

E pas disa muajsh, autoritetet policore arritën të binin në gjurmët e të riut. Që nga koha që ishte shpallur i vdekur, ai kishte udhëtuar në Jaipur, Dehli dhe Punjab, përpara se të vendosej në Margao, ku dhe u gjet. Kur i thanë për ‘kremimin’ e tij, 36-vjeçari mësohet se shtangu dhe tha se nuk ishte në dijeni për funeralin e tij.