ATSH – I. Vata/- Presidenti Ilir Meta tha sot se ka pranuar ftesën për të përshëndetur startin e “Ultramaratona 1”, kësaj veprimtarie të rëndësishme atletike, që do të vazhdojë për 3 ditë me radhë, ku pjesëmarrësit do të përshkojnë 116 kilometra në Rrugën e Arbrit.
Meta shton se “udhëtimi i këtyre atletëve drejt maleve të Dibrës dhe grykës së Radikës, me pikënisje dhe stacione kryesore tre përmendoret e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Tiranë, Dibër e Shkup, përcjell mesazhin e krenarisë e mbijetesës së shpirtit arbëror dhe nderon qëndresën e shqiptarëve për mbrojtje të identitetit kombëtar”.
“Sepse ato male të larta kanë qenë fortesat e atdhetarisë dhe qëndrueshmërisë së kombit tonë përgjatë gjithë ekzistencës së tij. Populli ynë dhe të parët tanë brez pas brezi kanë përcjellë një urim: Malet tona më të larta”, tha Meta. /j.p/