Mjekët, infermierët dhe i gjithë personeli mjekësor janë në vijën e parë të luftës së egër ndaj COVID-19, ashtu si efektivët e policisë dhe forcave të armatosura.

Përpos heronjve të kohës së pandemisë, çdo ditë e më shumë të rinjtë po angazhohen duke kontribuar vullnetarisht në shpërndarjen e ndihmave tek familjet në vështirësi ekonomike.

Një shembull i tillë është edhe Kejsi Çakani, gjimnaziste e vitit të dytë në shkollën “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, e cila i është përgjigjur thirrjes për t’iu bashkuar grupit të vullnetarëve në bashkinë e Elbasanit. Qëndruam një ditë me Kejsin, për ta parë sesi 17 vjeçarja vepron në këtë periudhë pandemie.

Ndonëse të gjithë e ndjejnë rrezikun dhe frikën e virusit, edhe për Kejsin vlen e njëjta gjë. Por, kontributi për t’i dhënë një dorë atyre familjeve që kanë nevojë në këtë situatë të vështirë, e mposht frikën.

Më tej, gjimnazistja e “Luigj Gurakuqit” u shpreh se do të vazhdojë të japë kontributin e saj vullnetar deri në përfundim të situatës së vështirë të krijuar prej COVID-19. Kejsi nuk nguron të japë mesazhe pozitive kryesisht për të moshuarit, që nuk duhen parë vetëm në kohë pandemie, por duhet t’u qendrojmë çdo ditë pranë.

Vullnetarizmi për punë të mira është akt qytetar në shërbim të komunitetit ku jetojmë. Duhet të jetë një obligim respekti dhe vlerësimi për të gjithë ata qytetarë, të cilët pa kërkuar asgjë në këmbim, ofrojnë dashuri dhe shërbim ndaj njerëzve në nevojë, komunitetit dhe vendit tonë.

Elbasaninews.tv