Qeveria shqiptare ka vendosur të realizojë një mbyllje të plotë të vitit shkollor në të gjithë sistemin arsimor të vendit duke përdorur një strategji miksimi të mbylljes së këtij viti mes sistemit online dhe atij në bankatt e shkollës.

Burime nga kabineti qeveritar i thanë NOA-s, se plani që është detajuar dhe pritet të bëhet publik gjatë ditës së sotme (29 prill), parashikon një sërë veçorish. Sipas projektit, në të gjitha ato që po emërtohen si zona të gjelbra, do të hapen shkollat e mesme dhe aty ku ka universitete, si në Gjirokastër, edhe ato.

Në të gjitha zonat jourbane të vendit, pra në fshatra, do të hapen shkollat e të gjitha niveleve, duke ruajtur distancën fizike përmes rotacionit të zhvillimit të mësimit. Në Tiranë dhe në Durrës, shkollat nuk do të hapen deri më 1 qershor, por pas asaj date do të jepen ditët për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore.

Sakaq, sistemi online do të funksionojë deri në qershor. Gjatë kësaj periudhe do të ketë përgatitje për provime dhe parashikohet që midis datave 1 deri 30 qershor të zhvillohen provime vetëm për periudhën që nxënësit kanë qenë në shkolla, pra nga shtatori 2019 deri në 10 mars 2020.

Në universitete është planifikuar që nga data 1 deri 15 qershor të hapen dyert jo vetëm për provimet, por edhe për një pjesë të lëndëve. Mësohet është planifikuar që të zhvillohen leksione dhe seminare për rreth dy muaj në universitete, duke shfrytëzuar jo më shumë se një të katërtën e kapacitetit ekzistues që është përdorur deri në 10 mars.

Sipas planit, mësimi do të zhvillohet në qershor dhe korrik në grupe të vogla me 10 deri 15 studentë në sallat e vogla dhe deri 25 studentë në sallat e auditorëve, me qëllim që të ruhet distanca fizike mes të rinjve. Këto orë mësimore, kryesisht orë laboratorike, seminarë dhe praktika mësimore, do të jenë vetëm për disa lëndë që përmes sistemit online kanë qenë të pamundura të zhvillohen. Gjithashtu janë parashikuar orë përsëritjeje  duke u përqendruar te mësimet e zhvilluara nga tetori në mars dhe më tej provimet për mbylljen e vitit akademik.

Kushtet për zhvillimin e mësimit, janë jo vetëm distanca, por edhe mbajtja e maskave në qarkullim, por jo në sallat e mësimit. Gjithashtu studentët do të urdhërohen që të largohen menjëherë nga godinat pas përfundimit të mësimit i cili do të bëhet me rotacion për të ruajtur distancën dhe mos krijohen dyndje. Sakaq nuk ka plane për hapjen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave fillore. Gjithsesi ky është një projekt i cili mund të ndryshojë pjesërisht deri nesër ndërsa aktualisht gjendet në tavolinën e kryeministrit.

Burimet thanë se plani është përgatitur nga ministria e Arsimit dhe këshilltarët e kryeministrit Edi Rama. Pjesë e projektit të hartuar, kanë qenë edhe drejtuesit e të gjitha shkollave të mesme dhe të larta në vend. Kanë marrë pjesë në dhënie idesh, stafet universitare dhe të gjimnazeve. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë parimisht pro hapjes tërësore të shkollave në të gjithë sistemin arsimor, por njëkohësisht kanë pranuar se nuk ekzistojnë kushtet për ruajtjen e distancës fizike mes nxënësish e studentësh.