Kanye West ka filluar zyrtarisht fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, me një tubim në Charleston, Karolinën e Jugut.
Reperi 43-vjeçar do të kandidojë për partinë e krijuar prej vetë atij të quajtur “Partia e Ditëlindjes”.
Hyrjen ne garë e zyrtarizoi këtë të hënë gjatë një tubimi në Charleston.
Kandidatura e tij në momentin e fundit për Shtëpinë e Bardhë është parë më shumë si një marketing nga fansat.
Të dielën në një postim në Twitter, ai tregoi listën e këngëve për albumin e tij të ri. Edhe pse e fshiu më vonë, kjo hapi spekulimet nëse 43-vjeçari ka për qëllim Shtëpinë e Bardhë apo promovimin e këngëve.
West u shfaq në tubimin në Charleston me një jelek antiplumb.
Ai iu drejtua turmës pa mikrofon. Në një moment gjatë të fjalimit, ai u përlot kur tha se prindërit e tij donin ta abortonin.
“Mund të mos kishte Kanye West, sepse babai im ishte shumë i zënë”, tha ai duke shtuar se gati kishte vrarë vajzën sepse nuk donte që Kim Kardashian të lindte.
Gjithsesi ai u shpreh se aborti duhet të jetë i ligjshëm, por duhet të ketë mbështetje financiare për nënat e reja. Madje filloi edhe me premtimet e para, duke thënë se “çdokush që ka një fëmijë merr një milion dollarë”.
West ka humbur afatin për t’u futur në votime në disa shtete. Ai ka nevojë të mbledhë disa firma që të marrë pjesë në votimet e disa shteteve të tjera.
/Descript.al/