ATSH/ Deputetët e opozitës parlamentare kërkuan sot interpelancë me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini lidhur me zgjedhjet në Universitete.

Deputetja e opozitës parlamentare, Fatjona Dhimitri, e cila foli ne emër të deputetëve që kërkuan interpelancën tha se vendimi i Shahinit është i paligjshëm, ka prishur garën dhe ka futur në kaos botën universitare.

“Monto e çmonto urdhëra zonja ministre në shkelje të ligjit për Arsimin e Lartë , rregulloren për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe stafin akademik në universitetin e Tiranës është dëmtuar rëndë autonomia universitare, kanë çuar në kolaps universitetet tona vetëm prej lukunisë tuaj për të monopolizuar dhe shtëënë në dorë rrjetin universitar”, – tha Dhimitri.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, në fjalën e saj theksoi se “data për mbajtjen e zgjedhjeve kërkohet nga vetë rektorët janë 12 rektorë që përfaqësojnë universitetet të cilat po përfshihen në zgjedhje dhe 11 prej tyre i donin zgjedhjet tani”.

“Është mirë që të shikoni edhe përtej Universitetit të Tiranës. Kemi bërë një kapërcim shumë të madh në arsimin e lartë nga koha kur universitetet shisnin diploma dhe prodhonin doktora shkencash për 6 muaj dhe duke i dhënë një pedagogu 45 doktorantë. Përtej punës kolosale të bërë nga ministrja Nikolla me mbylljen e universiteteve fiktive dhe me kalimin e ligjit të Arsimit të Lartë ende kemi shumë punë për të bërë”, – nënvizoi Shahini.

Ministrja Shahini tha se “këto zgjedhje t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, studentët, pedagogët, që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë që edhe universiteti të bëjë pjesën që i takon për të çuar deri në fund reformën e vështirë në arsimin e lartë”.

“Zgjedhjet në universitete janë të krijuara që të sjellin një frymë të re zhvillimi në institucionet e dijes, duke ndryshuar udhëheqësit apo duke konfirmuar ata ekzistues por me një plan të ri zhvillimi për institucionet”.

“Në eksperiencën time në të gjitha vendet ku kam studiuar e jetuar zgjedhjet në universitete janë ngjarje të qeta dhe i përkasin stafit akademik dhe trupës studentore. Nuk përfshin në debat institucione, organizata apo grupe shoqërore që nuk janë pjesë e komunitetit universitar siç bëjmë ne në Shqipëri”, tha ministrja.

Duke folur për rolin e MASR në procesin zgjedhor në institucionet e arsimit të lartë publik, Shahini tha se “ ky është një rol shumë i limituar siç edhe duhet të jetë për shkak se universitetet janë edhe institucione autonome, përfaqësojnë instancat më të larta të dijes në vend dhe janë plotësisht në gjendje të organizojnë zgjedhje të ndershme dhe të lira për udhëheqësit e tyre. Shtetit ka për detyrë të garantojë autonominë dhe lirinë e institucioneve të  arsimit të lartë dhe kjo është arsyeja pse ligji për arsimin e lartë e vesh Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me detyrën e dërgimit tek Presidenti i emrave të kandidatëve fitues për rektor pas verifikimit të rregullsisë të procesit zgjedhor”.

Ndërsa gjithçka tjetër, vijoi Shahini, themelimi  i komisioneve zgjedhore, komisionet e apelit, numërimi i votave,  sigurimi i mbarëvajtjes së procesit zgjedhor i takon institucionit të arsimit të lartë për ta organizuar.

“Në janar 2020 rektorët kërkuan të caktohej data e zgjedhjeve për të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik për muajin maj kur edhe skadonin mandatet e të gjithë strukturave drejtuese. Në këtë urdhër kanë vendosur edhe një kërkesë që del nga Pakti për Universitetin që kandidatët për strukturat drejtuese të kenë verifikuar ligjshmërinë e marrjes së titujve akademikë apo gradave shkencore përfshirë edhe kontrollin antiplagjiaturë të kërkimit shkencor me të cilin kanë fituar gradën apo titullin “, – tha Shahini./k.s/ /a.g/